Refuzimi i “Telekom Serbia”, Vuçiç: Do flas me Ramën

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, tha se ai do të bisedojë me kryeministrin Edi Rama, pas lajmit se Shqipëria nuk do që Serbia të investojë në kompaninë e saj kryesore të telekomunikacionit. ”Do të flas me Ramën sot apo nesër dhe shpresoj ta zgjidh këtë situatë”.

Kompania shtetërore serbe e Telekomit, në tetor konfirmoi interesin e saj në blerjen e ”Telekom Albania”, që aktualisht është në pronësinë e Deutsche Telekom. ”Telekom Serbia”, do të donte ta poziciononte vendin si një lider rajonal në tregun e telekomunikacionit në rajon dhe ka bërë një ofertë për blerjen e ”Telekom Albania-s”, tha kompania serbe për BIRN.

Sipas Presidentit serb, duke refuzuar investimin dhe paratë serbe, Shqipëria rrezikon të japë një mesazh të gabuar. ”Nuk ka kufizime të tilla në vendin tonë. Kushdo që do të krijojë një klimë pozitive nuk mund të bëjë dallimin se nga vijnë paratë, nëse janë serbe apo gjermane”, deklaroi Vuçiç. Shtatë vitet e fundit, qeveria serbe është përpjekur të privatizojë Telekomin dy herë, por ofertat nuk janë pranuar nga autoritetet.