PD prezanton platformën për “çlirimin e zgjedhjeve” nga krimi, Basha: Katër pikat kryesore

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka prezantuar sot platformën e opozitës për zgjedhje të lira e të ndershme. Kreu i opozitës tha se është e domosdoshme një reformë zgjedhore që të çlirojë zgjedhjet nga krimi. Sipas Bashës, pa ndarjen e politikanëve nga krimi, nuk mund të kemi kurrsesi zgjedhje të lira.

“Gjëja më e rëndësishme është ndarja e politikës me krimin. Politikanët e lidhur me krimin do e përdorur krimin gjithmonë për të mbajtur pushtet, e krimi do i përdorë për të zgjeruar aktivitetin kriminal. Ngjarjet kriminale të kohëve të fundit kanë pasur një gjë të përbashkët, kudo ku ka krime të rënda ka lidhje me zgjedhjet.

Bajrët, përgjimet treguan se flasin më shumë për politikanë se sa kriminelë. E njëjta gjë në Elbasan, nga Çelajt dhe Sanxhaktarët, bandat janë kthyer në faktorin më të rëndësishëm të zgjedhjeve. Saimir Tahiri apo Vangjush Dako në Durrës, në Vlorë kaluam nga Habilajt, në Dibër Ymer Lala, në Tiranë nga Emiliano Shullazi te Dritan Dajti vijojnë të marrin vendimet politike,” tha Basha.

Basha ka theksuar katër pikat kryesore të kësaj platforme, që nisin me dekriminalizimin e procesit zgjedhor, brenda së cilës është pjesë kryesore dhe shumë e rëndësishme është edhe vetingu në politikë.

“Së dyti, sistemi i masave kundër shitblerjes së votës, e cila është evidentuar si problemi kryesor në raportin e OSBE-ODIHR. Blerja e votës, jo vetëm do të konsiderohet korrupsion zgjedhor, por kërkon një sërë masash që duhet të nisin që në gjenezën e procesit të blerjes së votës, jo pak javë para, por deri në 12 muaj para zgjedhjeve. Së treti, financimi i partive, financim shtetëror 100% i fushatës, ndërkohë që kompanitë që financojnë partitë e kandidatët të përjashtohen nga tenderat e koncesionet. Dhe së katërti, përdorimi i teknologjisë në votim, numërim dhe votim elektronik”- tha Basha.

Sipas tij, më parë duhen zgjidhur këto çështje kaq thelbësore, e më pas mund të kalohet në detaje, si parlament me dy dhoma dhe ulje e numrit të deputetëve, nga 140 në 100 deputetë.