Politikanët në ”sitë”, Bylykbashi: Nuk pranojmë vonesa në miratimin e Vetting-ut

Sot është mbledhur Këshilli i Legjislacionit, lidhur me draftin e propozuar nga PD-ja për Vetting-un në Politikë. Nga PD-ja i pranishëm në sallë është vetëm deputeti Oerd Bylykbashi, i cili deklaroi se Vetting-u në politikë nuk ka si qëllim që të pengojë Vetting-un në Drejtësi.

Bylykbashi tha se ”lidhja krim-politikë, interesa kriminale-interesa politike, janë rreziku kryesor për demokracinë dhe stabilitetin e Shqipërisë”. Deputeti tha se opozita nuk do të pranojë dhe as tolerojë asnjë vonesë në miratimin e vetting-ut të politikanëve.

Nga ana tjetër, Bylykbashi sqaroi edhe njëherë se: “Vetting-u është një proces krejtësisht i shkëputur dhe i pavarur nga Vetting-un në drejtësi. Ai nuk ka asnjë lidhje dhe apo ndikim negativ apo pengesë për vetingun në drejtësi. Vetting-u i politikanëve nuk përjashton dhe nuk ka asnjë ndikim për hetimet penale të politikanëve dhe njerëzve të lidhur me ta, nga çdo lloj institucioni hetimi qoftë nga prokuroritë e rretheve qoftë nga prokuroria e sotme e krimeve të rënda apo SPAK dhe BKH kur ato të krijohen. Përkundrazi, ky proces u jep burime dhe raste hetimi këtyre institucioneve”.