Marotta tradhton Juventusin, pranë arritjes së akordit me rivalët

Beppe Marotta është shumë pranë arritjes së marrëveshjes me Interin. Sipas mediave italiane, të hënën ka patur një takim mes ish-drejtuesit bardhezi dhe Steven Zhang. Mësohet se i riu kinez, që me shumë mundësi do të jetë edhe presidenti i ardhshëm i zikaltërve, ishte shumë entuziast pas takimit kokë më kokë me Marotta-n, e dëshiron të arrijë sa më shpejt marrëveshjen.

61-vjeçari do të bëhej menjëherë pjesë e stafit të klubit milanez, duke zënë vendin e lënë bosh nga Walter Sabatini. Ndërkohë, Zhang dëshiron të mbyllë marrëveshjen këto ditë, sepse për Marotta-n janë interesuar edhe skuadra të tjera, duke përfshirë këtu kushërinjtë e Milanit. Në deklaratat e tij, ish-drejtori i Juventusit ka thënë se dëshiron të punojë sërish me një ekip e për momentin nuk ka interes të punojë me federatën italiane ose ndonjë organizatë tjetër.

Tani duhet pritur që raporti i punës me Juven të mbyllet. Më 25 tetor ai nuk do të jetë më administrator i deleguar i klubit, ndërkohë që duhet të gjendet një marrëveshje për pozicionin e drejtorit përgjithshëm, të cilin e mban po 61-vjeçari, por është me afat të pacaktuar.