Juventus “makineri” perfekte edhe pa Ronaldon, Dybala shënon tripletë (VIDEO)

Juventus vijon rrugëtimin perfekt në këtë sezon të ri. Bardhezinjtë treguan forcën e tyre edhe në ndeshjen e dytë duke fituar 3-0 ndaj Young Boys, teksa ylli i mbrëmjes në mungesë të Cr7 ishte Paulo Dybala. Ylli argjentinas shënoi të tre golat e duelit, duke treguar një formë të shkëlqyer. Trajneri Massimiliano Allegri pa Cristiano Ronaldon e skualifikuar zgjodhi që të linte pushim edhe disa yje të tjerë që nga minuta e parë. Chiellini, Emre Can dhe Cancelo e nisën ndeshjen nga stoli, teksa bardhezinjtë kaluan në skemën 3-4-1-2. Kampionët e Italisë e nisën mjaft mirë ndeshjen duke kaluar në avantazh që në minutën e 5-të.

Bonucci dha një pasim fantastik për Dybala-n, i cili goditi fluturimthi brenda zonës, duke mos i dhënë asnjë mundësi portierit të ekipit zviceran. Young Boys kërkoi të reagonte, teksa ju afrua golit me Sulejmanin, por ky i fundit e largoi topin më shumë seç duhet në momentin e fundit që ishte me portën e boshatisur. Pavarësisht këtij rasti Juventus ka kontrollin e lojës, duke krijuar mundësi të shumta shënimi. Në minutën e 33-të, Matuidi tentoi me një goditje të fortë në hyrje të zonës, topi u ndal nga portieri Von Ballmoos dhe më pas shkoi në këmbët e Dybala-s, i cili e ka të thjeshtë për të realizuar golin e dytë personal. Pjesa e parë do të mbyllej me këtë rezultat, ndërkohë që në fillimin e së dytë, Bernandeschi dhuron spektakël me topin në këmbë, pason për Dybala-n, i cili i vetëm përballë portierit e dërgon topin në shtyllë.

Young Boys jep kërcënimin e parë në minutën e 60-të me Hoarou, i cili godet në hyrje të zonës, topi u devijua dhe shkoi shumë pranë portës së mbrojtur nga Scezney. Skuadra e Allegrit luan mjaft mirë, teksa në minutën e 69-të, do të vinte dhe momenti i tripletës së Dybala-s, i cili finalizoi një aksion të nisur nga Alex Sandro, i cili pasoi për Cuadradon, teksa kolumbiani nxori me portën e boshatisur “La Yoja”-n.

Skuadra torineze nuk u ndal me kaq, duke vijuar që të sulmojë. 10 minuta nga fundi skuadra zvicerane mbeti me një lojtar më pak në fushë, pas daljes me karton të kuq të Kamara, i cili mori kartonin e dytë të verdhë. Disa sekonda më pas Cuadrado depërtoi mjaft mirë në krahun e djathtë, pasoi në zonë, por Bonucci nuk arriti që ta shtynte në rrjetë topin. Pas kësaj fitoreje, Juventus ngjitet në krye të grupit të saj me pikë të plota, 6, dhe me asnjë gol të pësuar deri më tani. /Koha Jone/