“Zëri i Amerikës”: Djali i deputetit u arrestua dy muaj pas denoncimit

Xhesiela Maloku, vajza e cila ka denoncuar dhunën e ushtruar ndaj saj nga Rexhep Rraja, djali i deputetit socialist Rrahman Rraja është vënë nën mbrojtje, që prej ditës së djeshme, kur u bë dhe arrestimi i të riut që dyshohet ta ketë dhunuar. Çështja e cila është vënë në qendër të vëmendjes ditët e fundit, u shoqërua dhe sot me polemika të forta politike

Pranë banesës së Xhesiela Malokut, prej më shumë se 24 orësh qëndrojnë dy punonjës policie. E reja e cila kishte patur marrëdhënie dashurie me Rexhep Rrajën, djalin e deputetit socialist, prej kohësh, ka qenë nën kërcënimet e ish të dashurit të saj, për shkak të të cilave ajo është detyruar, siç ka pohuar dhe vetë, të tërheqë më pas denoncimet. Prej ditës së djeshme, ndonëse pas më shumë se dy muajsh nga dhunimi i Xhesielës në një dhomë hoteli, Rexhep Rraja, është vënë nën pranga. Paralelisht, Xhesiela ka kaluar nën mbrojtje. Ndonëse shpesh deklarimet e saj kanë qenë kontradiktore, ekspertiza mjeko ligjore, pas rastit të dhunës në fund të korrikut, nuk lë shteg për të riun.

Babi i tij, ishte sot në mjediset e parlamentit, në dalje të të cilit, ai tha se nuk kishte ndërmend të largohej nga rradhët e socialistëve, ndërsa më pas përmes një statusi në Facebook u shpreh se ai nuk kishte ushtruar trysni mbi policinë dhe se prokuroria duhet ta çojë çështjen deri në fund.

Por në kallzimin që ish nënkomisar Emiljano Nuhu ka bërë më 30 korrik, ditën kur kishte marrë në pyetje vajzën, ai ka thënë se është kërcënuar se do të zhdukej së bashkë me familjen, pikërisht nga nipërit e deputetit.

Ngjarja ka marrë përmasa të forta politike. Opozita sërish akuzoi sot policinë dhe prokurorinë: “Çfarë e bën ngjarjen akoma më të rëndë, është se akuza për përndjekje, është ajo që ra dakord vetë përdhunuesi dhe babai i tij deputet natën e 21 korrikut, kur, në praninë e një oficeri policie, detyruan me armë vajzën e torturuar të tërhiqte dëshminë e saj. Prej asaj nate derisa skandali u bë publik, prokuroria nuk bëri asnjë veprim, megjithëse opozita e ka denoncuar këtë fakt, policia bëri gjithçka për të fshirë gjurmët e krimit dhe tani thjesht po bëjnë shoën e rradhës. Arrestimin për fasadë në shkëmbim të heshtjes së opinionit publik. Arrestimi i një përdhunuesi me pushtet me akuzën më të lehtë, atë të përndjekjes, është truku që Rama po përdor për të mbrojtur kriminelët që i sigurojnë atij pushtetin në Krujë dhe Fushë Krujë”, deklaroi deputetja Jorida Tabaku.

Nga ministria e Brendshme nuk vonoi përgjigja përmes zëvendësministres Romina Kuko: “kallëzimi dhe ndjekja penale e të kallëzuarve nuk u mbyllën nga policia edhe pse denoncuesja insistoi të tërhiqte padinë. Brenda 24 orëve pati reagim ndëshkues duke pezulluar dhe proceduar penalisht në Prokurori punonjësin e policisë, i cili nuk veproi konform ligjit dhe detyrës. E ritheksojmë se Policia e Shtetit nuk është ndjerë e intimiduar nga asnjë palë dhe nga askush dhe veprimet e saj kanë qenë korrekte dhe profesionale”.

Ministria i mëshon faktit se pavarësisht tërheqjes së denoncimit nga vajza ajo e ka çuar çështjen në prokurori, se ka ndëshkuar një punonjës të saj, ndërsa për ish nënkomisarin Nuhu se nuk ka përmbushur detyrat e lëna nga prokurorja e çështjes.

Marrë nga “Zëri i Amerikës”