“Albanian Sports Ambassador”, Lorik Cana fiton çmimin kryesor

Nata Gala e së premtes në Pallatin e Brigadave në kryeqytet ishte e tëra për ambasadorët e sportit shqiptar. Çmime e vlerësime gjatë një spektakli që mblodhi bashkë të premten në mbrëmje, personalitete të botës së futbollit, krerët më të lartë të Federatës shqiptare të Futbollit (Presidenti Duka, zv.presidenti Libohova dhe Sekretari i Përgjithshëm Shulku), njerëz me kontribute të mëdha në sport, si dhe shumë të tjerë. Pas shpalljes së nominimeve në fillim të shtatorit, dje në mbrëmje u ndanë edhe Çmimet përkatëse.

Kryetar i Jurisë ishte vetë Presidenti i FSHF-së, z.Armand Duka, i cili i dorëzoi çmimin kryesor “Albanian Sports Ambasador”, ish-kapitenit të ekipit kombëtar të futbollit, Lorik Cana. Në nominimin për këtë çmim ishin Lorik Cana, Igli Tare dhe Edvin Murati, të tre ish-futbollistë të skuadrës kuqezi. Në përshëndetjen e tij, presidenti Duka theksoi: “Një event që evidenton kontributet e dhëna në fushën e sportit. Ishim realisht në vështirësi konkrete për të zgjedhur fituesin, pasi gjithsecili ka peshën dhe potencialin e tij. Sidoqoftë një mbrëmje e tillë sjell vlerat më të mira të sportit, dhe një nismë e tillë duhet përshëndetur dhe vlerësuar”, theksoi z.Duka që më pas i dorëzoi Lorik Canës, edhe trofeun e çmimit kryesor të mbrëmjes, “Albanian Sports Ambassador”.

Kjo mbrëmje i kushtoi një moment komemorativ shoqëruar edhe me një çmim special legjendës së futbollit kosovar z.Fadil Vokrri i cili u nda nga jeta disa muaj më parë. Djalit të z.Vokrri, çmimin ia dorëzoi zv.ministri i Arsimit dhe sporteve, z.Kostandin Shkurti. Ndërkohë që me çmimet e tjera u vlerësuan edhe boksieri Luan Krasniqi, i cili në një akt fisnik bashkëndau këtë vlerësim të publikut (në votimin online) me z.Haki Doku, një tjetër kandidat i nominuar.

Një Çmim karriere shkoi për z.Igli Tare, Drejtorin Sportiv të Lacios. Nëna e futbollistit të ekipit kombëtar të futbollit Ansi Agolli, tërhoqi nga ish-trajneri i skuadrës kombëtare Gianni De Biasi, çmimin përkatës, në një kohë që u vlerësuan gjithashtu edhe portieri Tomas Strakosha, si edhe sportistët Izmir Smajlal, Erblina Bici dhe Elizabeta Karabolli.