Boçi: Këneta ku bëjnë qejf “derrat e pushtetit”, do përballet me revoltën e popullit

Flet për “Koha Jonë”, deputeti i PD-së, Luçiano Boçi: Arta Marku është një sajesë politike emergjente e kësaj mazhorance

Intervistoi: Redjon Shtylla

Opozita seancat e së enjtëve në Kuvend, prej disa javësh i zhvillon me qytetarët në qytete të ndryshme të vendit. Në një intervistë për “Koha Jonë”, deputeti i PD-së, Luçiano Boçi, zbulon qëllimin e këtyre takimeve.

“Ndërtimi i një komunikimi interaktiv me qytetarët për emergjencën kriminale, ekonomike e sociale që ka vendi”. Për Vetting-un që PD-ja kërkon për Politikën, sipas Boçit, nuk e pengon Reformën në Drejtësi, pasi “veprimi i ligjit të dekriminalizimit i cili ka ndihmuar në shumë aspekte faza të ndryshme të Reformës në Drejtësi”. Por sa nga 140 deputetët e kalojnë Vetting-un? Boçi jep emra: “Rama, Xhafaj, Balla, Çyrbja nuk e kalojnë dot Vetting-un. Për të tjerët të presim miratimin e ndryshimeve kushtetuese e paketën ligjore të propozuar”.

Duke folur për aksionin, i pyetur nëse do lëshojë PD-ja thirrje qytetarëve për revolta, deputeti demokrat pohon se: “Të gjitha stadet e aksionit tonë politikë të çojnë në protestë. Rama duhet shkulur nga pushteti”. Së fundmi pjesë e opozitës është bërë edhe PDIU-ja, për të cilën Boçi thekson se bashkimi rrit potencialet e spektrit opozitar dhe e shtyn Ramën drejt dimrit të vetmisë.

Opozita të enjteve e zhvillon “Kuvendin” e saj në qytete. Cili është qëllimi? Doni të përcillni ndonjë mesazh më afër qytetarëve?

“Kuvendi” që PD ka zhvilluar në disa qytete nuk është karshillëk politik, e as gjetje për të demonstruar retorikën politike. Është pjesë e një aksioni konkret, i cili synon ndërtimin e një komunikimi interaktiv me qytetarët për emergjencën kriminale, ekonomike e sociale që ka vendi. Ajo që kërkojnë sot njerëzit është besimi dhe ndërtimi i shpresës se në këtë vend ka një të ardhme. E këtë jemi duke bërë. Jo më kot janë zgjedhur ato qytete në të cilat shfaqja dhe sundimi i krim-politikës është më ekzemplari, pa përjashtuar faktin që e njëjta situatë është dhe atje ku ende nuk kemi shkuar. Jo thjesht kemi shprehur solidaritet me qytetarët, jo thjesht kemi dhënë kurajo për të përballur të keqen që po na zë frymën por mbi të gjitha kemi shpalosur dhe rrugë reale e konkrete për të dalë nga situata fantazmagorike e krijuar.

Ndalja e grabitjes së pronës publike, e shembjes së historisë për interesa biznesi e paraje, ndalja e rrjepjes progresive të biznesit, fermerit, taksapaguesve të thjeshtë për të majmur orekset e një kaste afër pushtetit miks politikë-krim-biznes, ndalja e zbrazjes së vendit, rrëzimi nga galopi i krimit në Shqipëri, pastrimi i politikës, vënia në shina e drejtësisë janë pjesë të misionit politik që ka marrë përsipër PD-ja. Siç nuk ka ndodhur asnjëherë, ne sot kemi një opozitë që deklamon të vërtetën pa rrumbullakosje e pa finte, denoncon krim-politikën, korrupsionin emëror e qeveritar dhe vendos gishtin në plagën e majisur të situatës dramatike në vend.

Një opozitë që ka marrë përgjegjësitë e veta dhe insiston që gjërat të rikthehen në rendin e rregullin e tyre, pavarësisht kostos personale që mund të ketë secili prej nesh. Basha demostron një vullnet bindës, për ti shkuar deri në fund gjërave me emër e mbiemër, me kuç e me maç dhe për të nisur një operacion cezarian politik të pakthim. Në politikën shqiptare me këtë inisiativë ka për të ndodhur thyerja më e madhe politike e pas 25 viteve. Këneta ku sot bëjnë qejf e zhgërryhen “derrat e pushtetit” duhet tharë, pastruar dhe shndërruar në një tokë ku jetohet, krijohet, bëhët politikë normale, pa krim, me vlera e parime, në një tokë që i shërben me gjenerozitet e ndershmëri njerëzve dhe jo kastave të inkriminuara. Në një tokë që të gjithë e duam njësoj dhe i shërbejmë po njësoj me të njëjtin vullnet e dëshirë.

Sistemi i Drejtësisë është në ngërç por paralelisht me këtë proces opozita kërkon edhe Vetting-un në politikë. Si do të bëhet Vetting-u i politikës dhe a e pengon kjo procesin e Reformës në Drejtësi?

Sistemi i Drejtësisë është në ngërc për shkak të deformimit të parimeve kushtetuese mbi të cilat u ndërtua ajo dhe për shkak se mbikqyrja politike ka degraduar në një angazhim total për ta kapur plotësisht atë. Për këtë qëllim procesi duket i stopuar. Në rastet kur ai vepron ka standart të dyfishtë dhe preferecë të lexueshme politike.

Më tej vazhdimisht sajohen e serviren truke të ndryshme, siç është ligji për Magjistarturën, për të ndërtuar mekanizma që dalin jashtë shtratit ligjor dhe që devijojnë dukshëm rolin e institucioneve të reja të drejtësisë. Synimi i vetëm i këtyre trukeve është kontrolli qelizor politik nga mazhoranca i sistemit që po rindërtohet. Vetting-u i politikës dhe Reforma në Drejtësi, janë dy procese që ndihmojnë njëri-tjetrin dhe nuk e përjashtojnë aspak njëri-tjetrin.

Argumenti më i thjeshtë për këtë është veprimi i ligjit të dekriminalizimit i cili ka ndihmuar në shumë aspekte faza të ndryshme të Reformës në Drejtësi. Për më tepër pastrimi i klasës politike do sillte benifite të pakontestueshme për produktin që synon drejtësia përkundër realitetit të sotëm ku ndikimet e krim-politikës kanë zgjatimet e tyre dhe kanë futur duart në përzgjedhjen e gjyqtarëve e prokurorëve. Është e pakonceptueshme që ne sot të kemi një reformë drejtësie të drejtë pa një reformë politike tërësore.

Një organizëm i sëmurë siç është politika e jonë sot, e gangrenizuar dhe e pushtuar nga metaztazat e krimit, nuk mund asesi të lindë një organizëm të shëndoshë siç dhe po pretendohet. Duam nuk duam Drejtësia është vërtet pushtet paralelel por buron në fazën fillestare nga vendimi politik. Pastrimi i politikës do të ndryshonte të gjitha kontekstet e tjera, përfshi ato të drejtësisë apo dhe ato sociale e ekonomike. Për këtë çdo politikan që gjendet në flagrancë me krimin, paratë e pista, korrupsionin, pasurinë e pajustifikuar duhet të dalë menjëherë nga sistemi e të japë llogari.

z.Boçi, ju i njihni mirë gjithë parlamentarët. Sipas jush, sa nga 140 deputetët e kalojnë Vetting-un?

Me faktet e dala, jo me atë çka mund të marrë unë me mend, mund të them me siguri që vetë Rama por dhe Xhafaj, Balla, Çyrbja nuk e kalojnë dot Vetting-un. Për të tjerët të presim miratimin e ndryshimeve kushtetuese e paketën ligjore të propozuar.

Përse opozita i denoncon lëvizjet e Kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku, si të ndikuara nga politika? Ku mbështeni për këtë? 

Kryeprokurorja e përkohshme është një sajesë politike emergjente e kësaj mazhorance. Roli i saj, përtej cilësive personale e profesionale të mira që mund të ketë, është pastërtisht politik. E thënë troç: për të nxjerrë nga situata e emergjencës kriminale këtë mazhorancë dhe për t’i për t’i dorëzuar në tepsi kësaj mazhorance, pjesë nga sistemi i drejtësisë. U zgjodh në kundërshtim me kushtetutën nga Rama me 69 vota. Po drejton në kundërshtim me kushtetutën dhe dëshmon me çdo veprim që konsiderata politike mbetet konsiderata më e lartë e institucionit që drejton tash sa muaj.

Të gjitha sjellet e saja të deritanishme në raport me çështjet sensitive, si ato të ish-ministrit të brendshëm, apo të ministrit aktual të Brendshëm, si dhe apatizmi veprues ndaj krimit të organizuar me korracë politike dhe korrupsionit thirrës qeveritar por dhe komportimi kontrovers me trupën e prokurorëve, bindin këdo që vendimet e organit të akuzës janë tërësisht në ndikimin e politikës.

Si do të largohet Edi Rama nga pushteti? Fronti opozitar ka lëshuar paralajmërime të forta, edhe në aspektin verbal. Do i bëjë opozita thirrje qytetarëve për revolta?

Të gjithë rrugët të çojnë në Romë. Të gjitha stadet e aksionit tonë politikë të çojnë në protestë. Rama duhet shkulur nga pushteti.

Në pushtet vihet me votë por Berisha thotë se me Ramën në pushtet opozita nuk vjen kurrë në pushtet? Si duhet ta lexojë qytetari këtë mesazh?

Në pushtet vihet me votë po. Me program po. Me vizion gjithashtu e besim, që një forcë politike e mbjell në komunikimin me qytetarin. Këto vlejnë për një vend demokratik dhe jo një vend quasi-demokratik si i yni, ku nuk ka rregulla loje politike, ku nuk ka zgjedhje të lira e të ndershme, ku vota është pushkatuar, vidhet, grabitet, blihet nga paraja e pisët dhe pushteti i pisët që drejtohet nga një kryeministër i pisët. Për pisat ka vetëm një rrugë. Është rruga e protestës në rrugë, e mosbindjes civile dhe e largimit me çdo kusht të së keqes që bën pis vendin, shoqërinë, ekonominë, demokracinë. Mesazhi i Berishës është i qartë e i plotë. Rama duhet shkulur dhe jo thjesht larguar. Shkulja në këtë rast është si ai riti hyjnor që pastron trupin nga çdo sëmundje e pashërueshme.

Cila është hileja e qeverisë për t’i hequr mundësinë z.Meta që ta rrëzojë sërish ligjin e ri për Teatrin Kombëtar? Sipas jush ku u shkel ligji?

Hileja e qeverisë ishte amnedimi i dekretit. Kushtetueshmërit dhe në praktikën e pandryshueshme parlamentare, një dekret ose pranohet nga parlamenti duke e bërë të gjithë ligjin nul ose refuzohet duke e lënë ligjin në fuqi. Nuk ka rrugë të mesme. Dekreti nuk ka si të amendohet. Dekreti dhe ligji nuk janë e njëjta gjë.

Me miratimin e dekretit mazhoranca e rrëzoi ligjin por njëkohësisht në mënyrë absurde e modifikoi atë, sepse përndryshe një ligj i ri do kërkonte dhe njëherë tjetër dekretin e presidentit. Një gjetje primitive kjo, për të tejkaluar një situatë korruptive të hapur. Interesat e shtynë kësisoj Ramën jo vetëm të hartonte një ligj special, por dhe të shkelte kushtetutën për dekretet e Presidentit në mënyrë speciale. Se ku fle lepuri dhe se sa i madh është ky lepuri, për të gjithë është tashmë e qartë.

Një aferë spektakolare e tillë, e cila varros historinë, grabit pronën publike në këto përmasa e në mënyrë kaq arrogante, është unikale dhe e pangjarë ndonjëherë në gjithë këto vite. Pak a shumë për ta bërë më të qartë vlen ky krahasim i thjeshtë: E vdiqën njeriun dhe më pas e operuan dhe e shitën në opinion si të gjallë.

A po konsiderohet si opsion mospjesëmarrja në zgjedhjet lokale? Nëse shkohet në zgjedhje, si do jetë opozita, e bashkuar apo e ndarë?

Synimi është përafrimi i zgjedhje lokale me zgjedhjet politike, pasi është kryer dhe reforma e domosdoshme zgjedhore dhe Vetting-u i politikës. Opozita është unitare në qëllimet dhe aksionin e saj politik.

Bashkimi i PDIU-së e forcon opozitën?

Bashkimi i PDIU-së, rrit potencialet e spektrit opozitar dhe e shtyn Ramën drejt dimrit të vetmisë së pashmangshme.

Edhe pse ka nisur viti akademik, prindër dhe nxënës vijojnë të protestojnë. Si e keni parë situatën dhe si mund të zgjidhet problemi i nxënësve që ende nuk kanë hapur librat për këtë vit të ri akademik?

Sistemi arsimor ka kohë që është zhytur në një qerthull kaosi, brenda të cilit rregulli i vetëm që sundon është “Kështu ka thënë Ministria”. Ligji e rregulli janë harruar diku në zyrat luksoze të Ministrisë dhe klasave të varfra e mësuesve të shkretë i është lënë mbi krye frika e ndëshkimit politik dhe tmerri i sigurisë së vendit të rrezikuar të punës.

Shkollat gjithnjë e më shumë po marrin pamjen e magazinave ku hyjnë e dalin nxënës me orare, që blejnë libra, fletore e mjete mësimore por që nuk marrin dije, edukim e përkujdesje të duhur e të prentenduar nga një shtet që pasurinë kryesore ka mendjen e artë të njerëzve të tij të mencur por sot të pavlerësuar dhe të painvestuar.

Mijëra fëmijë të larguar, qindra shkolla të mbyllura, dhjetra komunitete pa institucionin e shenjtë e të dashur arsimor, për shkak të një keqmenaxhimi spektakolar, janë panorama e trishtë e arsimit sot. Zgjidhja duhet të jetë komplekse dhe e orientuar. Një zgjidhje që përmirëson pozitën e mësuesit, investon infrastrukturën shkollore, ngre në piedestal përgatitjen tërësore të fëmijëve dhe i shërben tërësisht komunitetit. Arsimi ka nevojë për politika e investime konkrete e jo për nisma propagandistike që më shumë se të mira sjellin deformime të njëpsnjëshme me pasoja shumë të hidhura për brezat në vazhdim.