Trafikanti tregon se punonte për një polic: Merrja nga 400 euro deri…

Një trafikant droge i penduar ka treguar sot në gjykatë se si prej disa vitesh, prej vitit 2011 kishte punuar si transportues hashashi për llogari të një oficeri policie. Ai merrte një pagese për ta çuar drogën në fillim nga porti i Vlorës në Itali, e më pas nga ai i Durrësit, deri sa u kap në vitin 2017.

Gjykata ka dëgjuar për dy orë me radhë dëshminë e Aurel Lazaj, një nga trafikantët e penduar të një grupi, i cili dyshohet se ka në përfshirje të tij doganierë e policisë.

Dëshmitari i drejtësisë i tha Gjykatës se për ngarkesa që kaloi përmes Portit të Durrësit kishte si destinacion Gjermaninë. Sipas dëshmitarit kjo ngarkesë do të pritej nga i pandehuri Ermir Hoti. “Ne nuk arritëm”, tha dëshmitari, të zhbllokonim kamionin në Itali që po mbahej për mungesë dokumentacioni”.

”Së bashku me Jurdi Bedinajn telefonuam organizatoret e grupit të cilët na thanë se do të dërgonin një kamion tjetër, i cili do të ndërrohej në portin e Ankonës”, ka treguar ai. Dëshmitari tregoi se për këtë çështje ishte mes organizatoreve edhe ish-polici Festim Lelaj.

Aurel Lazaj i tha për herë të parë drejtësisë se ai kishte marrë porosi për transport gjatë vitit 2011. “Drogën e transportoja përmes Portit të Vlorës dhe për çdo rrugë paguhesha nga 400 deri në 500 euro”, tha i penduari, teksa shtoi se roli i tij ishte t’i dorëzonte ngarkesat në Romë tek anëtarë të tjerë të grupit.