“Forbes” zbulon shifrat e frikshme që përfitojnë agjentët e yjeve të futbollit

Revista amerikane Forbes, si çdo vit, ka publikuar listën e menaxherëve më të fuqishëm në mbarë botën në sporte të ndryshme. Në grupin e 10 më të pasurve ka disa risi, siç është rikthimi i Jorge Mendezit në vendin e dytë, protagonist absolut gjatë merkatos së verës me transferimin e Cristiano Ronaldos nga Reali i Madridit drejt Juventusit për 100 milionë euro.

Menaxheri portugez ka kaluar shifrën e 100 milionë eurove përfitime nga komisionet dhe parakalohet vetëm nga menaxheri i famshëm i bejsbollit, Scott Boras. Mendez, në hapësirën e 12 muajve i ka rritur përfitimet nëpërmjet komisioneve me 30.5%, duke shkuar nga 77 në 100.5 milionë dollarë. Shuma nga kontratat e nënshkruara nga klientët e tij rritet nga 770 milionë dollarë në 2017-ën në mbi 1 miliard në 2018-ën.

Buzëqesh edhe menaxheri italian, Mino Raiola, që futet në “top 5”, duke u ngjitur brenda një viti nga vendi i 10-të në të 5-tin. Menaxheri i Ibrahimovicit dhe Pogbasë në 2017-ën përfitonte nga komisionet 43.5 milionë dollar, me shumën totale nga kontratat e nënshkruara që arrinte 435 milionë dollarë. Gjatë 2018-ës, përfitimet e tij nga komisionet arrijnë 62.89 milionë dollar, me një qarkullim prej 628.9 milionë dollarësh.