Aleatët e PD mbështesin platformën antimafia

Platforma antimafia e prezantuar nga Partia Demokratike ka gjetur mbështetjen e aleatëve të saj. Aleatët thonë se kjo platformë mban vulën e Partisë demokratike, por e këshilluar edhe me ta, duke e cilësuar atë si ditën e parë të opozitës së vërtetë.

Agron Duka kërkon që të mos krijohet një klimë asfiksie për këtë kategori, gjenerator i punësimit dhe zhvillimit të ekonomisë. ”Përqendrimi i kapitalit në pak duar e vret konkurrencën dhe ka ndikim negativ. Lidhja kaq e fortë klienteliste e qeverisë aktuale me biznese të caktuara duke i favorizuar në mënyrë të padrejte dëmton konkurrencën dhe shpenzimin e parave publike se PPP janë më të shtrenjta për buxhetin dhe taksapaguesit. S’duhet të krijojmë një klimë terrori, të denoncojmë raste konkrete se po krijuam klime asfiksie rrezikojmë të na kthehet në bumerang”,-thotë Duka për ”Tv Klan”.

Dashamir Shehi, thotë se: ”Si e merr koncesionin e shëndetësisë një që shet cigare, ku ndodh kjo? Si i merr spitalet një që është marangoz, inceneratorët i bën një njeri që s’ka prekur inceneratorë, s’ka drejtuar kurrgjë, përveçse ndërmarrjen private të ministrit. E merr licencën pa pasur asnjë lekë në xhep”, tha Dashamir Shehi.

““Air Albania” doli në qiell pa asnjë studim dhe rezulton që u regj 8 ditë përpara shpalljes se kompanisë. Kjo hedh hije dyshimi dhe vetëm një ligj i tillë e sheh këtë aferë korruptive që prish edhe konkurrencën”, tha Nard Ndoka.