Taulant Balla: E sfidoj Bashën të shkojë në Prokurori

Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar të PS, ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në “Top Show”, ku iu përgjigj akuzave të ngritura gjatë ditëve të fundit nga Partia Demokratike për lidhje me bandat kriminale të Elbasanit dhe të Lushnjes. Taulant Balla u shpreh se e sfidon Bashën të shkojë në Prokurori dhe të depozitojë akuzat e tij, ndërsa nuk shkon, tha Balla, atëherë ai është duke bërë vepër penale.

“Të kesh lidhje me bandat është vepër penale, të jesh në dijeni për një krim dhe të mos e denoncosh është po aq vepër penale. Basha nëse është në dijeni dhe ka prova për këtë dhe nuk e denoncon atëherë është duke bërë një vepër penale. Unë sfidoj të shkoj në Prokurori dhe të bëj kallëzim penal për mua, për Ditmirin për këdo. Nëse nuk e bën kallëzimin, atëherë tregon se po gënjen. Unë kam hyrë në politik i bindur që kurrë nuk do të kemi lidhje me bandat dhe krimin. Dallimi me Bashën, unë kurrë nuk kam qenë nën hetim nga Prokuroria, nuk jam shmangun drejtësisë se jam sëmurë. Unë jam i pastër dhe i qetë dhe pres nëse ka prova për këtë”, tha Balla.

Kreu i grupit parlamentar të PS, sa i përket akuzave për lidhje me bandën e Lushnjes u shpreh: “Nëse një nxënës i shkollës së mesme të Librazhdit ka pasur lidhje me bandën e Lushnjës ky është budallallëk. Basha ka dalë në kabllogramët e WikiLeaks, se Basha ka nxjerrë persona nga burgu për të votuar në zgjedhje. Më gjeni një rast të vetëm që të kem bërë këtë gjë dhe unë iki menjëherë nga politika. Një e një milionta të ishte e vërtetë unë nuk do të isha këtu”, tha Balla.

Sa i përket favorizimit të mundshëm në tendera të biznesmenit Bego, akuza të ngritura dhe këto nga PD, Balla tha se për tenderin është njohur vetëm pas akuzave të PD dhe për ta ka kërkuar sqarime, ndërsa thotë se është dhënë në kohën kur ministër ka qenë Sokol Olldashi.

“Po deklaroj me përgjegjësi të plotë se me këtë rast jam njohur vetëm pasi është bërë publike nga PD. Tenderi është marrë në kohën kur ministër ka qenë i ndjeri Sokol Olldashi në vitin 2012”, tha Balla.