Dështon pretenca për Shullazin, ja shkaqet

Kur u mendua që sot prokuroria do të lexonte pretencën për bandën e Shullazit, seanca dështoi. Të pranishëm te Krimet e Rënda ishin edhe 4 prokurorët që do të jepnin pretencën, të kryesuar nga kryetarja e Krimeve të Rënda Donika Prela, e më tej prokurorët Besnik Muçi, Anton Martini dhe Gentian Osmani.

Të pandehurit nuk ishin të pranishëm por përfaqësoheshin nga avokatët e tyre, me përjashtim të avokatit të Blerim Shullazit, i cili u bë shkak për shtyrjen e seancës. Pretenca për grupin “Shullazi” është shtyrë për në datën 2 tetor.

Ambasada amerikane kishte reaguar pak orë para seancës, me një deklaratë në të cilën inkurajonte prokurorët e guximshëm. Reagimi i Ambasadës së SHBA-ve u dha pas interesimit të “Zërit të Amerikës” për situatën e krijuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për çështjen “Shullazi”. Ambasada thoshte se, “populli shqiptar meriton një sistem drejtësie, ku policia dhe prokurorët qëndrojnë së bashku kundër kriminelëve”. Më tej shtohet se, Ambasada “mbështet prokurorët e guximshëm që kërkojnë drejtësi, edhe kur ka rreziqe”.

Banda e Shullazit akuzohet për krijimin e grupit të strukturuar kriminal, kanosje për shkak të detyrës ndaj Mynyr Konit e Dhori Kules dhe shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie kundër Ylvi Beqjes për ish-hotel “Vollgën” në Durrës. Shullazi rrezikon deri në 15 vite burg për akuzat, po ashtu edhe anëtarët e bandës; Gilmando Dani, Besmir Shullazi, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela.