D’Ambrosio nderon Interin ndaj Fiorentinës, zikaltrit janë me fat (VIDEO)

Interi merr 3 pikë të tjera në Seria A, duke fituar me shumë vështirësi 2-1 ndaj Fiorentinës në “San Siro”.

Fraksioni i parë i ndeshjes foli më shumë për Fiorentinën që ju afrua në dy raste shumë pranë golit me Mirales që goditi shtyllën dhe me Simeonen që u ndal nga një ndërhyrje fantastike e portierit Handanovic. Në fundin e 45-minutëshit, zikaltrit fituan një penallti, pasi gjyqtari e cilësoi prekjen e topit me dorë si të qëllimshme. Nga pika e bardhë shkoi Icardi që shënoi golin e parë për këtë sezon.

Në fillimin e së dytës, Fiorentina u hodh në sulm, teksa gjeti menjëherë golin e barazimit me Chiesa-n, i cili u ndihmua dhe nga një devijim i mbrojtësit Skriniar. Vjollcët ju afuan edhe në disa raste golit, ndërkohë që Interi e goditi pabesisht me D’Ambrosion, pas një hutimi në mbrojtje.

Interi barazon Fiorentinën në renditje me 10 pikë, por vjollcat kanë një golaverazh më të mirë. /Koha Jone/