Xhafaj: “Bajri”, një nga 6-7 grupet më të rrezikshme

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka komentuar sot në “Vizion Plus” aksionin e policisë së Shtetit që arrestoi disa anëtarë të një prej grupeve kriminale.
Ministri tha se hetimi për këtë grup ka treguar se kemi të bëjmë me një prej organizatave më të rrezikshme në vend.
“Kur flasim për grupe duhet të dimë që për policinë dhe prokurorinë që merren me hetimkin e tyre nuk është punë e lehte, është proces i vështirë, gjurmimesh e ndjekjesh. Në rastin konkret, grupi “Bajri”, ka së paku që 6 muaj që është nën proces intesiv ndjekjeje nga task forca e policisë së shtetit sepse është një nga ato grupe që është të listuara tek forca e ligjit për shkak të rrezikshmërisë së lartë shoqërore. Konkretisht nga muaji shkurt nga nisur hetimet ndaj këtij grupi dhe mbledhjen e provave. Është një ndër grupet që operojnë në Shkodër, një ndër 6-7 grupet më të rrezikshme në shkallë vendi dhe ndër më të fortet në very. Është një grup i mirëstruktuar kriminal me bazë lidhje të forta familjare e krahinore. Ka shtrirje ndër vite që nga 1996-1997, dhe vit pas viti anëtarët kanë ushtruar veprimtari të rregullt kriminale në Shkodër dhe jashtë këtij qyteti”,- tha Xhafaj.
Ministri shtoi se “një karakteristike tjetër është lidhja me grupet e tjera kriminale që janë grupe të rëndësishme të cilat po hetohen nga task forca jonë në Elbasan dhe një qytet tjetër. Shtrirja e aktivitetit të grupit ose kupola e saj në Holande dhe Belgjike. Është një grup shumë I dhunshëm, përdor dhunën ekstreme ndaj rivaleve dhe viktimave. Akuzohet për disa vepra penale, trafik droge, qeniesh njerëzore, vrasje, përdhunime dhe vënie eksplozivi. Të gjitha këto e përcaktojnë këtë grup, me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ky grup ka pasur influence shtetërore në kohëra të ndryshme ndër vite, madje edhe në polici, në kohët e fundit ne kemi punuar shumë që t’ia heqim këto influence”,- tha Xhafaj.