Vetting-u në politikë, Bardhi: Si do të bëhet kontrolli i figurës

Gazment Bardhi, ish-ministër Drejtësie, aktualisht këshilltar ligjor në PD apelon se procesi i Ventting-ut në politikë nuk mund të presë dot asnjë ditë më shumë. Sipas tij, shkëputja e lidhjeve mes qeverisjes dhe krimit të organizuar dhe largimi i zyrtarëve të korruptuar është emergjencë kombëtare. Z.Bardhi gjykon se zyrtari i shkarkuar nga vetingu shkon përpara drejtësisë pa “kostumin” e rëndë të zyrtarit publik dhe nëse ka kryer krime, shkon në burg. Z.Bardhi, një njohës i mirë i ligjit thotë për “Gazeta Shqiptare” se procesi do të jetë i thjeshtë dhe i ngjashëm me atë që ndiqet edhe në procesin e dekriminalizimit.

Z. Bardhi pse pikërisht tani PD-ja ka ndërmarrë një nismë kushtetuese për vetingun në politikë dhe si është menduar realizimi i këtij propozimi? Çfarë synohet konkretisht?

Partia Demokratike ka propozuar përfshirjen e zyrtarëve të lartë publikë në procesin e vetingut, që në kohën e diskutimit mbi Reformën në Drejtësi. Të njëjtën kërkesë e kemi përsëritur zyrtarisht edhe në momentin ku u miratua procesi i vetingut për punonjësit e Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës. Tashmë, ky proces nuk mund të presë dot asnjë ditë më shumë. Shkëputja e lidhjeve midis qeverisjes dhe krimit të organizuar dhe largimin i zyrtarëve të korruptuar e të lidhur me krimin është emergjencë kombëtare. Procesi është menduar të ndjek të njëjtat standarde, siç aplikohet edhe për gjyqtarët dhe prokurorët. Mendoj se politikanët nuk kanë asnjë arsye që të trajtohen ndryshe. Procesi do të jetë i thjeshtë dhe i ngjashëm më atë që ndiqet edhe në procesin e dekriminalizimit. Strukturat përgjegjëse për realizimin e këtij procesi, do të jenë të pavarura nga politika dhe më shumë se një organ, për të kontrolluar dhe balancuar njëri-tjetrin. Synimi është pastrimi i politikës nga individët e lidhur me krimin e organizuar apo individët që nuk justifikojnë ligjërisht pasurinë e tyre. Vetëm në këtë mënyrë, arrijmë të kemi politikanë e zyrtarë, që nuk punojnë për krimin e organizuar dhe veten e tyre, por për problemet e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi.

Ka të drejtë kryeministri Rama kur thotë se nuk mund të hiqen politikanët nga jeta parlamentare vetëm se iu gjet një fotografi me një person të inkriminuar, ndërsa e ka quajtur këtë si një tentativë të opozitës për të bllokuar drejtësinë?

Në fakt, nuk bëhet fjalë për këtë. Nuk bëhet fjalë për një fotografi. Bëhet fjalë për kontakte të qëllimshme dhe të vazhdueshëm, që nuk përputhen me detyrën shtetërore, midis një politikani dhe eksponentëve të krimit të organizuar. Bëhet fjalë për individë që punojnë çdo ditë për t’i dhënë tendera dhe koncesione eksponentëve të krimit të organizuar. Është e qartë që deformimi i qëllimeve të vërteta të procesit të vetingut të politikanëve nga kryeministri Edi Rama është një tentativë për të manipuluar opinionit publik, për shkak se nuk e do vetingun. Mos u habisni. Kemi dëgjuar këto ditë justifikime nga më absurdet për mungesën e vullnetit të Edi Ramës për vetingun në politikë. Është qesharake të thuash se largimin nga qeverisja e individëve të lidhur me krimin e organizuar apo që nuk justifikojnë pasurinë e tyre, pengon drejtësinë. Si e pengon drejtësinë shkëputja e lidhjeve midis qeverisjes dhe krimit? Si e pengon drejtësinë largimi nga funksioni publik i zyrtarëve të korruptuar? Kurrsesi nuk e pengon, veç e ndihmon. Zyrtari i shkarkuar nga vetingu shkon përpara drejtësisë pa “kostumin” e rëndë të zyrtarit publik dhe nëse ka kryer krime, shkon në burg.

Ku ndryshon vetingu i politikanëve nga vetingu në drejtësi? Si do të bëhet kontrolli i figurës?

Standardet e vetingut të lidhjes së politikanit me krimin do të jenë të njëjta si dhe për rastin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Edhe procedura se si identifikohen faktet dhe arrihet në konkluzion do të jetë e njëjtë. Procesi i kontrollit të figurës do të jetë i ngjashëm me modelin e ligjit të dekriminalizimit. Detyra do u ngarkohet disa institucioneve, të cilat në përmbushje të roleve të ngarkuara me ligjin për zbatimin e vetingut të politikanëve, do të plotësojnë dhe kontrollojnë njëra-tjetrën.

PD-ja përmes deputetit Salianji ka përmendur një ‘listë të zezë’ me 100 emra, të cilët preken nga vetingu i propozuar nga PD. Por si janë identifikuar këta persona, kush janë ata dhe a ka bërë PD një “hetim” paraprak për pushtetarët dhe politikanët e lidhur me krimin para se të ndërmerrte nismën për vetingun e politikanëve?

Partia Demokratike, por edhe media, çdo ditë zbulojnë fakte sesi politikanët dhe qeveritarët janë në lidhje të ngushtë me eksponentë të krimit të organizuar. Rastet ‘Xhafaj’, ‘Balla’, ‘Bushati’, ‘Çyrbja’ etj., janë vetëm disa nga shembujt tronditës, sesi pushteti është vënë në shërbim të krimit të organizuar. Partia Demokratike nuk ka bërë dhe nuk do bëjë “hetim”, sepse nuk është detyra jonë. Ne kemi propozuar një mekanizëm ligjor sesi kjo duhet të bëhet dhe është detyrë e institucioneve të pavarura nga politika, të realizojnë procesin e verifikimit dhe të bëjnë vetingun e politikanëve. Nuk ka listë të zezë apo të bardhë, sepse ndarjen në “të zezë” dhe “të bardhë”, duhet ta bëjë procesi ligjor i vetingut të politikanëve. Partia Demokratike është gati për këtë ndarje. Qeveria deri më tani ka refuzuar. Por pavarësisht kësaj, vetingu do të bëhet, sepse Shqipëria nuk mund të jetë peng i politikanëve të lidhur me krimin dhe të korruptuar.

Konkretësia e vë qeverinë me shpatulla pas murit, e turpëron para qytetarëve, ndaj opozita vazhdon të identifikojë me të drejtë se lidhjet e politikës me krimin janë rreziku më i madh për demokracinë?
Detyra e opozitës është pikërisht kjo. Të evidentojë lidhjet e qeverisë me krimin e organizuar dhe milionat euro që ajo u jep eksponentëve të botës së krimit, nëpërmjet tenderave e koncesioneve të paligjshme. Kjo lidhje e ngushtë mes qeverisë dhe krimit të organizuar po rrezikon jo vetëm demokracinë, por edhe stabilitetin në vend. Kjo situatë është pengesë kryesore pse sot nuk kemi rritje rrogash apo pensionesh, ndihmë më të madhe ekonomike për të pamundurit, shërbim më të mirë shëndetësor apo arsimor dhe sigurisht pse kemi ngecur në procesin e integrimit të Shqipërisë në 5 vjet.
Të gjithë duan largimin e pushtetarëve të lidhur me krimin, por pse kjo nismë nuk ka marrë ende mbështetje institucionale të SHBA-ve dhe BE-së? Kam parasysh këtu pasi nismat e mëdha ligjore antikrim dhe antikorrupsion në Shqipëri së fundmi janë realizuar në bashkëpunim të ngushtë me SHBA dhe BE. Kjo ndodhi me ligjin e dekriminalizimit apo vetë Reformën në Drejtësi, që ka bashkautorësi amerikane dhe europiane në hartim dhe në zbatim…

Unë nuk do thosha se nisma nuk ka marrë mbështetje institucionale nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Në jemi në kontakt të vazhdueshëm me ta dhe kemi marrë inkurajimin për ta çuar përpara. Më lejoni t’ju kujtoj se edhe në rastin e Ligjit për Dekriminalizimin, opozitës iu deshën më shumë se 6 muaj që të merrte mbështetje institucionale të partnerëve për procesin e dekriminalizimit. Fillimisht për partnerët ishte e pabesueshme ajo që thoshte opozita, sepse nuk mund të imagjinonin që në drejtimin e shtetit kishte zyrtarë të dënuar për trafik droge, trafik qeniesh njerëzore, përdhunim apo vrasje. Por me shumë durim dhe vendosmëri, PD arriti të siguronte mbështetjen e tyre dhe falë asaj mbështetjeje, qeveria u detyrua të pranonte ligjin e dekriminalizimit, që largoi nga funksionet drejtuese të shtetit plotë 333 zyrtarë publik me rekorde kriminale.

Zv.Ndihmës-sekretarja e Shtetit, Elisabeth Millard zgjedh reformën në drejtësi si rrugën e vetme për të pastruar politikën nga krimi dhe korrupsioni. E pyetur gjatë një interviste për “News 24” për vetingun në politikë, Millard këmbënguli se “çelësi është SPAK dhe BKH”. Cili është komenti juaj lidhur me deklaratën e saj?

E kam dëgjuar intervistën e znj. Millard dhe jam dakord që SPAK dhe BKH janë mekanizmi i vetëm që do të hetojë dhe ndëshkojë zyrtarët që kanë kryer krime. Propozimi ynë për veting nuk e prek apo pengon këtë. SPAK dhe BKH nuk bëjnë veting, sepse vetingu është procesi administrativ i pastrimit të zyrave të shtetit nga politikanë të lidhur me krimin dhe që nuk justifikojnë pasurinë e tyre. Në veting kalojnë në filtër të gjithë politikanët, pa përjashtim, me qëllim që të zbulohen fakte dhe prova, që i largojnë ato nga zyrat e shtetit apo i pengojnë të hyjnë në zyrat e shtetit. Në veting detyrimin për të provuar ligjshmërinë e pasurisë dhe faktin që nuk janë të lidhur me krimin, e ka vetë zyrtari dhe jo shteti. Ndërsa hetimi penal ka tjetër procedurë. Jo të gjithë politikanët kalojnë në filtrin e hetimit. SPAK dhe BKH do hetojnë vetëm politikanët për të cilët ose ka kallëzim penal, ose janë zbuluar paraprakisht fakte apo prova që tregojnë se mund të kenë kryer një vepër penale. Në hetimin penal është detyrë e SPAK dhe BKH që të provojë që politikani është i lidhur me krimin apo që politikani nuk e ka të ligjshme pasurinë. Pra, janë dy procese të ndryshme, që nuk pengojnë, por ndihmojnë njëra-tjetrën.

Dekriminalizimi i politikës është kyç për Shqipërinë, por pse nuk vihen në zbatim ligjet e miratuara?

Dekriminalizimi ishte një proces jetik për Shqipërinë dhe që dha rezultatet e veta. Menjëherë pas miratimit të ligjit të dekriminalizimit, Edi Rama gjeti një formë të re të vijimit të bashkëpunimit me krimin. Sot në parlament, qeveri apo pushtet vendor nuk kemi vërtetë individë të dënuar, por kemi shërbëtorët e tyre dhe njerëz që janë vendosur nga krimi i organizuar që kontrollin sot shtetin. Është krimi i organizuar, që nëpërmjet zyrtarëve që ka vendosur vetë dhe që janë të lidhur me të, vendosin për mënyrën sesi shpërndahet Buxheti i Shtetit, se kush i merr tenderat, se kush do jetë koncesioni i radhës, etj. Ne duhet t’i përgjigjemi kësaj situate me ligjin përkatës, që nis me ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugë procesit të vetingut të politikës.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka paralajmëruar prezantimin e projektligjit antimafia. Ku konsiston dhe kë prek ky projektligj?

Ashtu si ka paralajmëruar kryetari i PD-së, z. Basha, tenderat dhe koncesionet korruptive, do duhet të anulohen dhe të ndalen, sepse janë një shpërdorim i parave dhe pasurisë së shqiptarëve, për qëllime klienteliste dhe korruptive. Ndryshimet në Ligjin Antimafia do të konsistojnë në miratimin e rregullave që kalojnë në verifikim të gjitha kontratat e koncesionit, prokurimit publik, partneritetit publik-privat, tjetërsimit t? pasurive publike dhe aktet e lejeve, licencave ose autorizimeve për shfrytëzimin e pasurive publike. Për kontratat publike korruptive dhe klienteliste, ligji do parashikojë jo vetëm anulimin e tyre, por edhe konfiskimin e pasurisë së kompanive private përfituese dhe pronarëve të këtyre kompanive, si dhe pasurisë së zyrtarëve publik që kanë abuzuar me detyrën.

Pse ka ngecur reforma në drejtësi?

Jemi në vitin e tretë nga miratimi i Reformës në Drejtësi dhe ende sot nuk kemi në funksionim asnjë nga institucionet e reja të sistemit të drejtësisë dhe se sistemi është në një ngërç, që e ka lënë Shqipërinë pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatën e Lartë dhe me një Prokurori të kontrolluar nga qeveria dhe krimi i organizuar i lidhur me pushtetin. Përgjegjësia direkte për këtë është e qeverisë, e cila ka futur në ngërç sistemin e drejtësisë dhe punon çdo ditë sesi ta kapë atë politikisht, për ta vënë drejtësinë në funksion të mbylljes së aferave të veta korruptive dhe për të shpëtuar nga burgu eksponentët e krimit të organizuar të lidhur me të.

Çdo të thotë ‘një vend pa gjykata’ siç është sot Shqipëria? Si mund të zgjidhet ngërçi në sistemin e drejtësisë?
Një “vend pa gjykata” do të thotë një vend ku të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, nuk ka kush i mbron do të thotë një vend që nuk frenon dot me mjete ligjore abuzimet e qeverisë, do të thotë një vend që nuk lufton dot korrupsionin dhe krimin e organizuar. Sepse është detyrë e sistemit të drejtësisë të mbrojë qytetarët nga abuzimet e qeverisë dhe është detyrë e sistemit të drejtësisë të dënojë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Zgjidhja është mbi tavolinën e Edi Ramës. Heqja dorë nga bllokimi i Reformës në Drejtësi dhe tentativa për kapjen politike të sistemit të drejtësisë.

Për këtë opozita ka paraqitur që në muajin korrik një paketë me 7 propozime për daljen nga ngërçi ku e ka futur qeveria Reformën në Drejtësi. 7 propozimet e opozitës për zgjidhjen e kolapsit të krijuar nga ndërhyrjet politike për kapjen e drejtësisë janë: 1.Respektimi i Kushtetutës së miratuar me konsensus në korriku 2016, që do të thotë zhbërje e ligjeve në kundërshtim me Kushtetutën. 2.Zgjidhja e situatës së paligjshmërisë në organin e Prokurorisë, duke i dhënë fund kapjes politike të Prokurorit të Përgjithshëm. 3.Zgjidhja e situatës së paligjshmërisë në procedurën e përzgjedhjes së anëtarëve të jashtëm të KLGJ-së e KLP-së. 4.Zgjidhja urgjente e ngërçit të krijuar në Gjykatën Kushtetuese. 5.Zgjidhja urgjente e ngërçit për ngritjen sa më shpejt të KLGJ dhe KLP sipas Kushtetutës, që të zhbllokohet edhe krijimi i SPAK dhe BKH. 6.Ecuria kushtetuese dhe ligjore e procesit të vetingut. Ndërprerja e menjëhershme e ndërhyrjes politike në proces nga ana e maxhorancës, që ka sjellë deri tani një proces të deformuar. 7.Ngritja e një komisioni koordinimi i balancuar dhe i paanshëm për të mbikëqyrur konstituimin e organeve të reja të drejtësisë. Sipas parashikimeve kushtetuese duhet të ishte ngritur më parë.

Pse kaq shqetësuese për opozitën transferimi i prokurorëve nga zj.Marku? Pse është i jashtëligjshëm hetimi i tyre?

Arta Marku është emëruar në detyrë në mënyrë të paligjshme nga Edi Rama, pikërisht për të bërë këtë që po bën sot. Nëpërmjet transferimeve të paligjshme dhe procedimeve disiplinore pa shkak të ligjshëm ndaj prokurorëve, Arta Marku po tenton të dështojë hetimet e rëndësishme që ata kanë në dorë, përfshirë çështjen e Saimir Tahirit. Ligji nuk lejon Prokurorin e Përgjithshëm të Përkohshëm të transferoi pa pëlqim prokurorët e Krimeve të Rënda, apo të bëjë lëvizjen e tyre nga çështje konkrete. Kjo është ndërhyrje e paligjshme në punën e pavarur të prokurorëve. Ndërkohë, procedimi disiplinor pa shkak ndaj tyre është formë presioni ndaj prokurorëve dhe pa asnjë dyshim që është kriminal e i paligjshëm.

Opozita përveç kallëzimit penal ka kërkuar edhe largimin e Arta Markut? Nga kryeprokurore e përkohshme, Marku po shkon drejt kryeprokurores së përhershme? Si mund ta ndalojë ligjërisht opozita?

Opozita ka depozituar në Prokurorinë e Tiranës një kallëzim penal për shpërdorim detyre ndaj Arta Markut, e cila me veprime të kundërligjshme, për pengon hetimin e disa zyrtarëve të lidhur me qeverinë apo bandave që i shërbejnë qeverisë. Që hetimi të jetë real, meqenëse bëhet nga vartësit e Arta Markut, atëherë ligjërisht ajo duhet të pezullohet nga detyra derisa të përfundojnë hetimet. Qëndrimi i saj në detyrë gjatë periudhës së hetimit është prova më e qartë që ajo ka shpërdoruar detyrën dhe se kërkon mbrojtje nga pozicioni i saj si kryeprokurore. Nga e mërkura, Arta Marku nuk është më kryeprokurore e Shqipërisë, por një shërbëtore e zellshme ndaj krimit dhe korrupsionit qeveritar.

Lidhur me miratimin e ligjit për Teatrin e ri Kombëtar, sipas jush ku u shkel ligji? Kushtetuta thotë se presidenti nuk mund të kthejë dy herë të njëjtin ligj, por sipas jush cila është “hileja” e qeverisë për t’i hequr mundësinë z.Meta që ta rrëzojë sërish ligjin e ri për Teatrin Kombëtar?

Pas miratimit të Dekretit të Presidentit, pa asnjë rezervë nga Kuvendi, ligjërisht ligji korruptiv “Rama-Fusha” ka rënë dhe nuk ekziston më. Presidentit i është dërguar një ligj, që në fakt nuk është ligj në kuptimin kushtetues, sepse është rrjedhojë e një procesi parlamentar të paligjshëm dhe si i tillë nuk mund të sjell pasoja. Edi Rama e dinë këtë, prandaj ka nxjerrë jashtë funksioni Gjykatën Kushtetuese, që të jetë i pashqetësuar në aferat e veta korruptive. Presidenti i Republikës kam bindjen se do t’i jap përgjigjen e duhur kushtetuese këtij puçi kushtetues të realizuar të enjten e kaluar në Parlament.

Burimi: /G.Sh/