Roma në krizë, Di Francesco rrezikon shkarkimin

Vetëm 5 pikë në 5 takimet e para, janë shifrat e frikshme të Romës, që nuk ndodhnin që nga viti 2010-2011, ndërsa 3 humbje radhazi mes kampionatit dhe Championsit nuk përsëriteshin që nga koha e Zemanit, në janar të 2013-ës.

Dështimi i fundit i verdhekuqve u regjistrua pasditen e djeshme ndaj Bolognës, ku skuadra e Di Francescos u mposht me rezultatin 2-0, në një sfidë ku nuk treguan thuajse asgjë.

Pas sfidës, tekniku i verdhekuqve paralajmëroi se do të ndryshojë shumë në formacionin e skuadrës dhe se do të hedhë në fushë ata që vrapojnë më tepër, ndërsa drejtuesit urdhëruan grumbullimin e futbollistëve në qendrën stërvitore, në pritje të ndeshjes së të mërkurës në mbrëmje, në Trigoria.

Presidenti Pallotta nuk e ka fshehur pakënaqësinë, ndërsa kapiteni De Rossi i ka dalë në mbrojtje teknikut Eusebio Di Francesco, duke thënë se “për të mposhtur Bolognën, nuk ka nevojë që në stol të jetë Guardiola”.

Gjithsesi pozitat e trajnerit janë lëkundur ndjeshëm tashmë dhe e mërkura do të jetë testi i të vërtetës për të ardhmen e Di Francescos, pasi një tjetër rezultat negativ ndaj Frosinones, do të pasohej me shkarkimin e menjëhershëm të tij.

Drejtuesit e Romës kanë filluar kontaktet tashmë me trajnerë të tjerë, për të mos u gjetur pa alternativa, ndërsa kandidatët për të zënë vendin e Di Francescos në rast të një shkarkimi të mundshëm, janë Conte, Paulo Sousa, Laurent Blanc dhe Vincenzo Montella.

Vlen të përmendet se tifozëria verdekuqe i ka dalë në mbrojtje trajnerit Di Francesco dhe ka sulmuar hapur drejtorin sportiv Mario Monchi, i cili në verë vendosi të largojë yjet e skuadrës si Nainggolan dhe Strootman, të cilën kanë lënë një boshllëk të pazëvendësuar ende në mesin e fushës.