“Hotel Oaz Lounge Velipoje” dhe grupi kriminal i rrezikshëm

Blerim Tominaj është prokurori që hetoi për 6 muaj me radhë grupin Bajri të Shkodrës, që konsiderohej i pushtetshëm në kriminalitet. Por Blerim Tominaj, përpara se të mbahet mend për hetimet e shumta, sikurse edhe kolegët e tij të Krimeve të Rënda, do të kujtohet si një ndër 10 prokurorët e ndëshkuar në grup nga Arta Marku.

Edhe emri i tij u bë publik nga organi qendror i akuzës si grupi i rebelëve që kundërshtuan shortin e Shullazit. Një veprim që i ka kushtuar hetim disiplinor dhe nga ana tjetër vazhdon të ketë zemërimin e Markut, që u shfaq përmes një letre publike.

“Unë jam në detyrë me mandat të përkohshëm, por krimi i organizuar dhe korrupsioni ka mandat të përhershëm dhe punon me kohë të plotë. Për këtë arsye, është në detyrimin tim ligjor që të marr masat e nevojshme ligjore për cilindo Prokuror apo Oficer të Policisë Gjyqësore që refuzon pa asnjë shkak ligjor, të ushtrojë detyrën dhe funksionin e tij kushtetues, për të luftuar kriminalitetin dhe krimin e organizuar në veçanti dhe, për më tepër, në Prokurorinë më të rëndësishme në vend”, lexohet në letrën e Markut.

Dhe pikërisht grupi Bajri llogaritet të jetë pjesë e krimit të organizuar. Gjatë konferencës ku u publikua puna e tij dhe e Policisë së Shtetit, Blerim Tominaj u shfaq i heshtur përkrah shefes së re të Krimeve të Rënda, e cila një ditë më parë vendosi dy truproja në hyrje të zyrës për t’u ruajtur nga kolegët. Krisjen e marrëdhënieve vartës-epror, Prela u mundua ta ngjisë me një falenderim: “Gjej rastin të falenderoj prokurorin e çështjes për punën e palodhur, i cili është sot këtu me mua”.

Por, a do t’i shkrijë akujt kjo frazë që ngjan më shumë për kortezi, përsa kohë Blerim Tominaj bashkë me 9 prokurorë të tjerë deklaruan se Donika Prela, ashtu si Arta Marku, po ju cenojnë integritetin dhe pavaresinë.

Në këtë pikë, kryeprokurorja e Krimeve të Rënda nuk ka koment për akuzat e vartësve./TCH

Pasuritë e grupit

“Hotel Oaz Lounge Velipoje” është një nga restoret më luksoze në gjendër të Velipojës, plazhi më i madh në veri të vendit. Ai është sekuestruar nga policia në kuadër të operacionit që mori emrin e tij “Oaz”. Ka dyshime se ky investim luksoz është bërë nga Safer Rustemi Bajri i cili ra në prangat e policisë bashkë me 11 persona të tjerë si pjesë e një organizate kriminale të rrezikshme. Bajri dhe anëtarët e tjerë të bandës, tha policia dyshohen për vrasje, pengmarrje, trafik droge dhe vepra të tjera të rënda kriminale. Për të fortin e Shkodrës Safet Bajri dhe pronat e tij në Velipojë ka shkruar edhe media belge.

Njoftimi i plotë i Policisë së Shetit dhe Prokurorisë për superoracionin që u zhvillua në njëkohësisht në Shqipëri dhe Holandë.

Task Forca Speciale e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda kanë finalizuar operacionin e koduar “Oaz”, në kuadër të Operacionit “Forca e Ligjit”, si pjesë e grupit kriminal “Bajri” me aktivitet të shtuar kriminal në Shkodër.

Të gjitha arrestimet janë kryer me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Emrat e të arrestuarve

1. Behar Brajoviq (Bajri) arrestuar në Roterdam, Holandë;
2. Samet Halluni, i arrestuar në Roterdam, Holandë;
3. Ilir Rustemi, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër;
4. Emrah Plaku, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër;
5. Astmer Bilali, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër;
6. Armir Grimaj, arrestuar në Shkodër;
7. Safet Rustemi (Bajri), i arrestuar në Tiranë;
8. Fabiol Rexhepi, i arrestuar në Shkodër;
9. Ismet Idrizi, i arrestuar në Shkodër;
10. Denis Brajoviq, i arrestuar në Tiranë;
11. Klaudio Hoxhalliu, i arrestuar në Tiranë.

Në kërkim u shpallën 2 anëtarë të këtij grupi kriminal, për të cilët Gjykata ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg”, për shtetasit:

E.B., 45 vjeç, dhe N.H., 34 vjeç.

 Foto: Hoteli ne Velipoje

Përgjimet

Veprimet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, deri në goditjen e plotë të gjithë grupit kriminal “Bajri” kanë zgjatur mbi 6 muaj.

Janë kryer dhjetëra orë përgjime, mijëra informacione të shkëmbyera me partnerët, janë analizuar mijëra faqe të dhëna, si edhe janë kryer veprime pro-aktve në terren, përmes kontrollit nga ajri (dron) dhe vëzhgimit intensiv.

Oficerë të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me oficerë të kontaktit të vendeve të përfshira në operacion, kanë kryer veprime në terren për evidentimin, lokalizimin dhe ndalimin e shtetasve anëtarë të grupit, që vepronin jashtë Shqipërisë, e kryesisht në Holandë.

Akuzat që rëndojnë mbi bandën

Akuzat ndaj anëtarëve të këtij grupi kriminal janë: “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, në bashkëpunim, “Vrasje me dashje”, e kryer në bashkëpunim, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, “Organizim i llotarive të palejuara”, “Pastrim i produkteve të veprës penale” të kryer në bashkëpunim, “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë”, kryer në bashkëpunim, “Përkrahje e autorit të krimit”, ‘Moskallëzim krimi”, “Prodhim e shitje e lëndëve narkotike”, vepra penale këto të kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Si vepra të rënda kriminale, të dokumentuar deri tani janë 2 vrasje të ndodhura në Shkodër, ngjarje e ndodhur në 7 shkurt 2001, ku u vra shtetasi A.T., dhe ngjarje e datës 20 qershor 2002, ku u vra shtetasja F.H., 15 vjeçe.

Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar edhe është provuar në javët e fundit, se anëtarë të këtij grupi kriminal kanë kanosur dhe shtrënguar disa shtetas për dhënie shumash të konsiderueshme parash.

Ky grup është i dyshuar dhe po hetohet intensivisht për disa nga ngjarjet e fundit të ndodhura në Shkodër.
Grupi “Bajri”, në bashkëpunim edhe me grupe të tjera kriminale, brenda dhe jashtë Shqipërisë, dyshohet se trafikonin lëndë të forta narkotike në shtete europiane dhe më pas paratë e përfituara nga ky aktivitet investoheshin brenda vendit.

*Foto: Safet Rustemi (Bajri)

Burime të grupit të hetimit thonë se personi i konsideruar si kreu i grupit, shtetasi Enver Bajri, ende nuk është arrestuar pasi nuk dihet ende vendodhja e tij.

Hetuesit thanë se ai ka të paktën tre vite që nuk rezulton të ketë hyrë në Shqipëri.

Ndërkohë operacioni i organizuar në Tiranë ka vënë në pranga dy personat e tjerë Safet Bajri dhe Ilir Bajri, të cilët sipas hetimeve qëndronin direkt mes kreut të grupit dhe anëtarëve të tjerë të hiearkisë së bandës.

Mediat belge dhe holandeze kanë pasqyruar të shtunën aksionin e zhvilluar në Shqipëri dhe Holandë.

Sipas tyre Safet Bajri është në listën e personave më të kërkuar në Belgjikë pasi në janar të 2017 u dënua nga Gjykata e Apelit të Brukselit me 9 vjet burg për udhëheqjen e organizatës kriminale, trafik droge dhe prostitucion.

Mes të arrestuarve në Shqipëri është edhe shtetasi Armir Grima, trajner i kombëtares së futbollit për femra i cili gjatë karrierës së tij sportive ka qenë portier i ekipit të futbollit të Vllaznisë në vitet 1998-2001, por më pas dhe kapiten dhe trajner i ekipit.

Arrestimi i tij sipas policisë ka të bëjë me akuzën për trukimin e ndeshjeve sportive. Gjatë përgjimeve 6 mujore, Safet Bajri është regjistruar duke folur për fitime financiare nga ndeshja mes Vllaznisë dhe Tërbunit e mbajtur në maj të këtij viti e cila përfundoi me rezultatin 2:1.

Për këtë ndeshje akuzohet edhe i arrestuari Fabjol Rexhepi, portieri aktual i ekipit të futbollit Tërbuni.

Prokuroria ka nisur hetim pasuror ndaj të gjithë të arrestuarve të cilët akuzohen se kanë përfituar shuma të mëdha monetare përmes gjobëvënies ndaj biznesmenëve të ndryshëm.

Sipas përgjimeve, personi që kërkonte paratë duke vendosur dhe afate ndaj biznesmenëve ka qenë Behar Bajri, ndërsa dorëzimi i shumave bëhej tek anëtarët e grupit.

Burimi: OraNews

Flet Artan Hoxha

Familja “Bajri” njihet mirë në Shkodër sepse ka vepruar prej dy dekadash. Ata akuzohen për krime brenda vendit dhe trafik droge jashtë vendit. Pak orë pasi Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda njoftuan se janë arrestuar 11 persona që vepronin si grup i strukturuar kriminal, gazetari investigativ Artan Hoxha tregon disa detaje interesante. Ai thotë se personi kryesor Enver Bajri nuk është arrestuar. Po kaq ai tregoi akuzat që rendojnë mbi këtë grup kriminal.Ndër të tjera dyshohen për vrasjen e 16 vjecares, Fabiola Bajri në 2002, e cila ka qenë gruaja e Behar Bajrit. Fabiola Bajri është raportuar si e vetevrare, ka thënë gazetari Hoxha, ndërkohë që ende nuk dihen provat e reja që ka gjetur prokuroria për këtë dosje. Më poshtë intervista që ka thënë Artan Hoxha për Report TV.

Pyetje: Operacioni në Tiranë, Shkodër, Roterdam dhe Bruksel, çfarë ndodhi dje?

Artan Hoxha: Operacion ndërkombëtar, hetim i kryer nga prokuroria por edhe autoritetet belge dhe holandeze. U asistua policia nga autoritetet belge dhe gjermane. Kemi një aksion që dje ka patur veprime konkrete në disa zona të Shkodrës, Tiranë, Roterdam dhe Bruksel. Nuk dihet ende kush janë të shoqëruar, e kush të arrestuar. Dje u arrestuan 7 persona, më 6 shtator u arrestuan 4 persona pas vrasjeve në Shkodër, që kulmuan me vrasjen e biznesmenit Arjan Ferracaku. Në pamje të parë kemi të bëjmë me një operacion të suksesshëm, në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare. Nga renditja që ka bërë policia e Shtetit personave të arrestuar, emri i parë dhe më i rëndësishëm është Behar Bajri. Behar Bajri deri para disa ditësh ka qenë në Shkodër, se di pse u arrestua jashtë vendit. Të gjithë ndalimet janë bërë me vendim të Gjykatës për Krimet e Rënda. Ndoshta më 6 shtator s’kanë qenë gati këto urdhër-arreste. Behar Bajri, Ilir Rustemi (Bajri) është vëllai i Safet Rustemit (Bajri). Pas 3 seancave shumë të zjarrta në Belgjikë, Safet Rustemi (Bajri) u kthye në Shqipëri nga një gabim i gjykatave belge, që e kishte depërtuar nga vendi. Ndërkohë pjesa tjetër e të ndaluarve, Astmer Bilali është në arrest shtëpie. Ndërkohë 3 të tjerët, Ilir Rustemi, Erogen Brajoviç nuk figuron në listë dhe Emrah Plaku, janë nën masë sigurie arrest me burg 30 ditë. Nuk e di nëse me masat e reja janë përfshirë edhe këta.

Si u arrestuan anëtarët e grupit të Bajrajve?

Artan Hoxha: Janë përdorur metoda speciale, përgjim, dronë, janë përgjuar telefonat. Edhe operacioni i datës 5 shtator që pamjet e para që dolën nga operacioni i RENEA-s, dolën nga një lokal në lagjen Dobraç në Shkodër, ku jeton familja Bajri. Policia u kujdes që pamjet të dilnin aty. Gjatë aksionit të djeshëm, ndërhyrja në Tiranë është bërë në një zonë pranë Xhamllikut, në një bilardo. Aty janë ndaluar Safet Rustemi dhe 2 të tjerë, pjesa tjetër është bërë në Shkodër. Në Shkodër janë arrestuar Ismet Idrizi, dhe të tjerët. Mënyra si do të vijojnë hetimet është e rëndësishme. Ai që cilësohet si drejtuesi kryesor i grupit nuk është Safet Bajri. Unë kam dosjen hetimore të prokurorisë belge dhe personi tjetër është Enver Bajri, që është kryesori dhe nuk është ndaluar. Po të shohësh vendimet e policisë dhe prokurorisë, nuk i ka bërë RENEA aksionet. Janë disa detaje që do të dalin, në informacionin që kam unë, edhe skuadra operacionale janë identike. Dallimi është që kemi të bëjmë me një skuadër civile që nuk identifikohet. Skuadra operacionale ndërhyn kur nuk duhet rënë në sy, kjo skuadër grumbullon informacion dhe gjurmon, në dallim nga RENEA.

Sa kohë kishte që lëvizte Safet Bajri në Tiranë?

Artan Hoxha: Një pjesë e këtyre personave që pas datës 6 shtator kanë lëvizur nga qyteti i Shkodrës. Sigurisht, në intervistën që unë i mora, ai tha se priste që të vinte dosja nga autoritetet belge. Në Lushnje dhe Elbasan, janë arrestuar disa persona. Në akuzat që janë bërë janë një mori akuzash.

Këtu të ndalemi, ka një sërë akuzash nga vrasja tek trukimi i ndeshjeve. Janë akuzat e autoriteteve shqiptare këto?

Artan Hoxha: Po, sepse autoritetet shqiptare nuk kanë marrëveshje ekstradimi. Se di si do të funksionojnë për Behar Bajrin. Të dyja prokuroritë që kanë hetuar do të shkëmbejnë informacion mes tyre. Numri i madh i akuzave, të kemi parasysh se jemi në momentin e ndalimit, më vonë mund të bien ose mund të shtohen. Çdonjeri që kapet me armë, ka një akuzë të tillë. Në 5 shtator, RENEA sekuestroi 4 automjete të blinduara, 4 në Kiras e 2 në Dobraç. Për mënyrën si ata funksionojnë, kjo është normale. Dhe Safet Bajri është kapur me armë. Hetimet janë bërë nga prokurori Blerim Tominaj, një prokuror i vjetër. Më ranë në sy dy çështje: Vrasje të ndodhura në Shkodër, 7 shkurt 2001 dhe 20 qershor 2002. Kam hyrë në arkiv. Ngjarja e vitit 2001 bëhet fjalë për vrasjen e vitit 2001 në Tiranë ku u vra Arben Tuzi në Vasil Shanto, hetimet për këtë ngjarje janë zhvilluar më vonë. Pas 17 vitesh është rihapur kjo dosje, në atë kohë Behar Bajri ka qenë 20 vjeç. Edhe Ilir Bajri ka qenë shumë i ri.

Më 20 qershor 2002 është vrarë Fabiola Bajri, 16 vjeç. Në fakt, ka patur një hetim. Ajo ka qenë gruaja e Behar Bajrit, në atë kohë është dalë në përfundim se ka qenë vetëvrasje. Nuk dihet se cila ka qenë prova e re. Këto janë dy ngjarjet më të rënda dhe janë të vjetra në kohë. Janë ngjarje të mbyllura dhe të rihapura. Për rastet e tjera nuk është dhënë informacion cilat kanë qenë konkretisht.

Më poshtë renditen gjithë krimet e faktuara dhe krimet e dyshuara të familjes kriminale “Bajri”

(kjo listë është botuar në vitin 2016 nga gazeta “Panorama”)

Me datë 28.01.2000 në fshatin Dobraç ka vrarë me armë zjarri shtetasin Petrit Demiri, punonjës i Policisë Rrugore në Komisariatin e Policisë Shkodër. Për këtë vepër venale Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër e ka dënuar vetëm me dy vjet burgim. Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë, me vendim të datës 27 shkurt 2007 e ka dënuar me 9 vjet heqje lirie dhe 2(dy) milion lekë gjobë për kryerjen e veprës penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

Ngjarja për të cilën shtetasi Behar Bajri është deklaruar fajtor ka ndodhur me datën 12 shtator të vitit 2005, në qytetin e Shkodrës, ku ky shtetas përmes gjobvënies, ka kërkuar që të përfitojë pa të drejtë shumën prej 5 milionë lekësh të reja nga një banor i qytetit të Shkodrës. Këtë krim Behar Bajri (Rustemi) e ka kryer në bashkëpunim me kushëririn e tij Sead Rustemi.

Me datë 18.08.2006 shtetasi Behar Bajri është akuzuar për përdhunimin e dy vajzave të mitura, krim të cilin e ka kryer në bashkëpunim me një tjetër person. Për këtë ngjarje Gjykata e rrethit Shkodër kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” nën akuzën e “heqjes së paligjshme të lirisë në bashkëpunim”, marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura të moshës 14-18 vjeç”.

Me datë 14.01.1999 në lagjen Dobraç të qytetit të Shkdrës Behar Bajri, Ilir Bajri dhe Frederik Totaj në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohen se kanë kryer veprën penale të vjedhjes me armë ndaj dy qytetarëve nga Berati, të cilët kanë qenë duke udhëtuar me një automjet tip Kamion me targë të Vlorës.

Me datë 14.01.1999 në lagjen “Vojo Kushi”, janë vrarë me armë zjarri vëllezërit Osman e Artur Alibali. Autorë të dyshuar të kësaj ngjarje kanë rezultuar të jenë shtetasit Behar Bajri, Ilir Bajri dhe Frederik Totaj. Kjo vrasje është kryer menjëherë mbas vjedhjes me armë të kryer ndaj dy shtetasve nga Berati.

Me datë 15.02.2001 në lagjen Vasil Shanto të qytetit të Shkodrës është vrarë me armë zjarri shtetasi Arben Tuzi, vjeç 39 nga Shkodra. Autorët e dyshuar të kësaj ngjarje kanë rezultuar të jenë shtetasit Behar Bajri dhe Ilir Bajri.

Me datë 21.03.1999 Behar Bajri në bashkëpunim me shtetasin Ilir Bajri kanë tentuar të kryejnë vjedhje me armë ndaj Arben Tuzit dhe vëllait të tij. Nga shkëmbimi i zjarrit të dy palët kanë plagosur njëri-tjetrin.

Me datë 26.06.2002 në banesën e Behar Bajrit është gjetur e vrarë bashkëshortja e tij Fabiola Bajri, 16 vjeçe. Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se në këtë rast ishte vrasje dhe jo vetëvrasje siç deklaruan familjarët. Autor i dyshuar i kësaj vrasje është Behar Bajri.

Ndërsa i arrestuari tjetër, Ilir Bajri akuzohet se në 4 gushtit të vitit 2006, ka vrarë Pal Kosterin, pranë banesës së tij, në fshatin Stom-Golem, pak metra larg Urës së Bardhajve. Vrasja pati ndodhur pas një konflikti të dy autorëve me dy nga djemtë e viktimës, që janë pronarë të një lokali në Velipojë.

Autori kishte frekuentuar lokalin në Velipojë dhe në gjendje të pirë ka shkaktuar trazira në të. Kjo ka bërë që pronarët, djemtë e viktimës t’i kërkojnë Bajrit të mos vinte më në lokalin e tyre, pasi po u largoheshin klientët. Nga kjo, autori është ndjerë i fyer dhe ka shkuar në Shkodër, tek shtëpia e Pal Kosterit dhe pasi e ka thirrur atë të dalë jashtë, e ka qëlluar me armë. Bashkëshortja e viktimës i ka identifikuar autorët, të cilët i njihte dhe më parë./opinion/