Ahmetaj i përgjigjet PD-së: Sistemi i monitorimit asnjë kosto shtesë

Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj i është përgjigjur përmes një postimi në Facebook deklaratës së sotme të Partisëe Demokratike lidhur me sistemin e monitorimit të transaksioneve të biznesit. Deklaratën e dy deputetëve të PD, Ahmetaj e cilëson duet përçartjeje publike, ndërsa garanton se sistemi i ri nuk do të ketë asnjë kosto shtesë për biznesin.

Sipas ministrit të Financave do të ulen kostot e rënda të sistemit aktual të trashëguar nga koha e qeverisjes së PD.

Ahmetaj sqaron bizneset se me procedurën e re të shpallur, synohet ndërtimi i një sistemi monitorimi transaksionesh, i cili do të ndërveprojë me sistemin aktual si dhe krijimi për herë të parë i komunikimit në kohë reale si të transaksioneve ndërmjet biznesit dhe konsumatorit, ashtu edhe të biznesit me biznesin.

Postimi i plotë në FB:

Jam i habitur me zonjën Tabaku dhe Bashkëpunëtorin X të saj, që sot dolën në një duet përçartjeje publike për sistemin e ri të monitorimit të transaksioneve të biznesit.  Përtej gjithë ç’kanë thënë, për turpin e tyre, dua të nënvizoj:  SISTEMI NUK DO TË KETË ASNJË KOSTO SHTESË PËR BIZNESIN. Përkundrazi, do të ulë kostot e rënda të sistemit aktual që kemi trashëguar nga koha kur partia e zonjës Tabaku dhe Bashkëpunëtorit X të saj, imponoi kasa me kosto të paktën 300 euro vetëm për instalimin dhe që e kanë mirëmbajtjen më të shtrenjtë se të veturave, por që sidoqoftë nuk do të jetë aspak kusht që të dalin nga funksioni.

Për qytetarët:

1-      Me procedurën e re të shpallur, synohet ndërtimi i një sistemi monitorimi transaksionesh i cili do të ndërveprojë me sistemin aktual c@ts (pra sistemi i administrimit të taksave që përdor çdo tatimpagues, i prokuruar nga qeveria e Partisë Demokratike në vitin 2013 me vlerë mbi 10 milionë euro) si dhe krijimit për herë të parë të komunikimit në kohë reale si të transaksioneve ndërmjet biznesit dhe konsumatorit, ashtu edhe të biznesit me biznesin.

2-      Ndërsa tre vjet më parë, administrata tatimore ishte e fokusuar në implementimin e sistemit E-tax, sot po kalon në nivelin tjetër të administrimit dhe luftës kundër informalitetit, betejë e cila kërkon modernizimin e sistemit dhe përdorimin e instrumenteve të reja, inteligjente, për të rritur efikasitetin.

3-      Në të njëjtën kohë, ky sistem mundëson një informacion më të qartë dhe në kohë për vetë biznesin, për transaksionet e deklaruara të tij me çdo biznes tjetër.

4-      Procedura konkurruese në fjalë dhe kriteret e saj, janë përgatitur dhe shpallur nga Agjensia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, agjensia me ekspertizën më të lartë për sistemet informatike në sektorin publik dhe për rrjedhojë, mbetet pronësi e vetë shtetit shqiptar dhe aspak koncesion i një kompanie private, aq më pak koncesion për TVSh apo absurdi i dhënies së të drejtave ekskluzive për ndryshimin e ligjeve të  shtetit shqiptar.

5-      Sa i takon kostove imagjinare prej 600-1000 euro për çdo biznes, apo 80-100 milionë euro në total, theksojmë sistemi i ri NUK do të ketë asnjë kosto shtesë për biznesin; kasat aktuale nuk do të dalin jashtë përdorimi, por do të përditësohen me sistemin e ri duke ofruar opsione për sipërmarrjen, pa kosto.

Zonjës Tabaku dhe Bashkëpunëtorit X të saj që flasin me shqetësim për rritjen e taksave për biznesin, duhet t’i kujtojmë se platforma e partisë së tyre, është rikthimi i taksës së sheshtë, thënë ndryshe rritje e drejtpërdrejtë e taksave për 97% të të punësuarve dhe mbi 91% të bizneseve.

Sot, 97% e shqiptarëve të punësuar paguajnë rreth 120 milionë dollarë në vit më pak taksa, falë taksimit progresiv. Në 4 vite, i kemi kthyer mbrapsht qytetarëve në xhepat e tyre 500 milionë dollarë që Partia Demokratike ua vidhte me taksën e sheshtë.

Sot, mbi 91% e bizneseve e kanë tatim fitimin 0 ose 5%, pra 100% ose 50% më pak se në kohën e PD. Vetëm me këtë ulje, i kemi kursyer biznesit 23 milionë dollarë në vit, që Partia Demokratike ua merrte si taksa në buxhetin e shtetit. Me paketën e re fiskale 2019, që do të prezantohet në ditët në vijim, vazhdojmë lehtësimin e mëtejshëm të ngarkesës fiskale për qytetarët dhe biznesin.

E ftojmë znj. Tabaku, Bashkëpunëtorin X të saj dhe Partinë e përçartjes së madhe publike, ta lexojë me vëmendje paketën e re fiskale për të kuptuar diferencën e madhe mes nesh dhe atyre, vëmendjen e përditshme të kësaj qeverie ndaj qytetarëve dhe biznesit.

#eGjithëVëmendjapërNjerëzit