“Shullazi”, kaos në prokurori

Me anë të një njoftimi për median, Prokuroria e Përgjithshme njoftoi gjetjen e dy prokurorëve që do të shpallin pretencën ndaj Emiliano Shullazit, Gilmando Danit, Blerim Shullazit, Endri Qyqes dhe Endri Zelës.

Pavarësisht se emrat e prokurorëve nuk publikohen, sikurse edhe mënyra se si është zgjidhur situata, Top Channel-it iu tha jozyrtarisht se prokurorët e Shullazit do të jenë Donika Prela dhe Gentian Osmani, përkatësisht shefja dhe zëvendësshefi i Krimeve të Rënda. Jozyrtarisht sqarohet se ata janë komanduar me urdhër të Arta Markut, e cila, pavarësisht masave ndëshkuese që urdhëroi për 10 prokurorët që nuk pranuan shortimin, në një farë mënyre iu dha atyre të drejtë me zgjidhjen pa short, por me komandim.

Me një prokurori që gjendet në një frymë të paprecedentë dhe nga ana tjetër mediat që raportuan minutë pas minute, nuk kanë munguar edhe batutat e gazetarëve për një vizitë të beftë të Arta Markut te Krimet e Rënda.

Por zgjidhja e ngërçit për dosjen “Shullazi” nuk e kthen më qetësinë dhe prestigjin e humbur të Krimeve të Rënda. Tashmë ka nisur një betejë tjetër brenda llojit e brenda magjistratëve të ndëshkuar. Ata thonë se në vetvete edhe mbledhja e thirrur 3 ditë më parë ishte e paligjshme dhe në shkelje të ligjeve të paketës së reformës në drejtësi. Legjislacioni i ri i prokurorisë urdhëron eprorët që të thërrasin mbledhjet 3 ditë para se ajo të zhvillohet, mbledhja të jetë e argumentuar me shkrim për datën, ditën dhe shkaqet e takimit.

E ndërsa gjatë të premtes, nga 19 seanca dy u shtynë për shkak të mungesës së prokurorëve, kulmi i konfliktit u shënua një ditë më parë. Një prej prokurorëve që është në listën e të ndëshkuarve është konfliktuar me drejtuesen e Krimeve të Rënda, pasi ka kërkuar shpjegime për referencën ligjore, sipas së cilës është marrë masa disiplinore. Ishte kjo arsyeja se përse pas mosmarrëveshjes, tek Krimet e Rënda ishte edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë si dhe forcat e rendit.

Në kulmin e këtij tensioni, prokurorët rebelë të shortit dolën me një deklaratë. Pa harruar të njoftojnë ndërkombëtarët, 10 prokurorët e ndëshkuar shpjegojnë se shorti i kërkuar ishte antiligjor, ashtu sikurse urdhri për masë dhe për transferim. Vendimin e Arta Markut e konsiderojnë si një precedent të rrezikshëm që e kthen në centralizim organin e akuzës, e gjitha kjo, sipas tyre, në shkelje të Kushtetutës dhe të ligjeve të reformës në drejtësi.

Për t’iu kthyer shkakut se përse nisi kjo mosmarrëveshje e turpshme në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, do të ngelen sërish pa përgjigje pyetjet: a do të zhvillohet procesi ndaj Emiliano Shullazit në datën 25 shtator? A do të kërkojnë prokurorët e caktuar nga Arta Marku kohë për t’u njohur me fashikujt në mënyrë që të shpallin pretencën? Dhe, më e rëndësishmja, a do të pranojnë avokatët e Emiliano Shullazit dhe të pandehurve të tjerë që akuzën ta përfaqësojnë këta prokurorë në gjykatë?

Deri atëherë, sërish ia vlen të presim…/tch/