Kryeministri Rama shemb Teatrin në Tiranë, kurse opozita ikën në Vlorë

Partia Socialiste vulosi dje me ligj, për herë të dytë, shembjen e Teatrit Kombëtar. Me 75 vota deputetët socialistë miratuan ndryshimet në ligjin për ndërtimin e teatrit të ri. Ministri Majko nuk pranoi të votonte, edhe këtë radhë, një ligj të tillë.

Me një manovër ligjore të paqartë dhe të kundërshtuar nga juristët, socialistët vendosën që edhe të pranojnë shkeljet që u vinte në dukje dekreti i Presidentit, i cili rrëzonte thuajse gjithë ligjin, por edhe të bëjnë amendime kozmetike duke u përpjekur për tu justifikuar para ndërkombëtareve për standardet e projektit. Ndryshimi i vetëm në ligj është se tashmë do të hapet një garë, ku nuk do të jetë vetëm një kompani e cila konkuron për ndërtimit e objektit të ri. Koha e lënë në dispozicion për firmat e tjera është vetëm 30 ditë. Një afat i pamjaftueshëm për çdo kompani që hartojë një projekt për një investim që tejkalon shifrën e 200 milionë dollarëve. Më e habitshme, bile korruptive, mbetet fakti se prapë ligji i ri shkruan se duhet të fitojë firma e cila ka tokë dhe prokurën e pronarëve të trullit, ndërkohë që vetëm firma e përzgjedhur “Fusha” ka këto dokumenta. Pra një teatër absurd ligjor, kur dihet se prapë kjo firmë do ta fitojë. Gjithçka është bërë për firmën në fjalë dhe interesat financiare, siç akuzon opozita. Do kemi një konkurim fallso dhe ku dihet se cili do ta fitojë.
Tashmë është vetëm çështje ditësh ku fadromat të shkojnë në qendër të Tiranës dhe të nisin punën.
Dje akuzën më të fortë për këtë mega-aferë korruptive e ka bërë studiesja amerikane Lori Amy. Ajo tha dje në Tiranë se duhet demaskuar kriminaliteti, që qëndron pas këtij ligji. Ne nuk kemi pse diskutojmë, nëse duhet një teatër i ri, sepse këtu nuk është çështja për një teatër të ri. Çështja është ky partneritet jotransparent publik-privat, ku ne e dimë mirë se prapa tij fshihet korrupsioni. Pyetja ime është se çfarë duhet bërë për këtë? Ne po flasim këtu për masat anti-korrupsion, ndërkohë që në njëjtin çast po ndodh ngjarja më e madhe e korrupsionit në vend, ndaj duhet të merremi me të”.
Në seancën e djeshme të Kuvendit mazhoranca solli të njëjtat argumente që mbron më kokëfortësi prej kohësh mbi arsyet e shembjes së Teatrit Kombëtar. Sërish u tha se ishte një godinë rrangallë që nuk vlen më për asgjë. Se gjoja kemi një Teatër Kombëtar që mund të na zërë brenda artistët. U tha se ndërtimi i teatrit sipas modelit me koncesion privat është e vetmja mënyrë që shpëton buxhetin e shtetit dhe kulturën kombëtare. Gjithçka u thur në favor të firmës që do të fitojë dhe që e ka përzgjedhur qeveria.
Ndërsa në parlament bëhej masakra ligjore, krerët e Frontit Opozitar zgjodhën që në kulmin e debatit dhe në momentin më kulmor të largoheshin nga Tirana dhe nga protesta e artistëve para godinës së Kuvendit. Herën e parë kur u votua ligji nga PS, opozita tha se do të kërkonte nga Presidenti të mos e dekretonte. Dhe presidenti nuk e dekretoi, jo se e kërkoi opozita këta gjë, por se ishte i bindur se ligji kishte të paktën 9 shkelje të rënda. Pas kthimit të ligjit në Kuvend nga kreu i shtetit, beteja ishte e opozitës dhe i takonte asaj të tregonte sesa seriozisht e kishte këtë çështje. Por dje, në ditën kur ligji votohej sërish në Kuvend, opozita e pa më të udhës t’i qëndronte larg sherrit duke udhëtuar për në Vlorë. Nga qyteti bregdetar, Lulzim Basha tha se Qeveria po kryen një akt barbar. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe nuk ngurroi ti cilësoi gjithë deputetët socialistë si terrorist të kulturës kombëtare. Gjithashtu, kreu i PD-së përsëriti qëndrimin se me ardhjen në pushtet të opozitës gjithë koncesionet dhe projektet e jashtëligjshme do të anulohen dhe do të shkatërrohen. Në një pjesë të këtyre që thotë Basha ka jo pak të vërteta, por është ndryshe kur i thotë në Kuvend, teksa socialistët ngrënë kartonët dhe ndryshe kur u flet vlonjatëve për problemet që qeveria i quan çështje urbanistike të Tiranës.

Mungesën e djeshme në Tiranë, Lulzim Basha e justifikoi me argumentin se me këtë qeveri nuk gjendet më zgjidhja në Kuvend dhe nuk ka më as dialog. Opozita duhej të ishte dje në parlament dhe të rrethonte deputetët “terroristë”, siç i ka quajtur Basha.
Kryeministri Rama votoi i qetë në parlament, kurse lideri opozitar preferoi Vlorën të akuzonte Edi Ramën për Teatrin.
Mili Xhani