Hapat si Arta Marku minoi hetimin e ish-ministrit Tahiri

Që nga emërimi i Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku në dhjetor 2017, hetimet për çështjen e ish-ministrit Tahiri, krahut të djathtë të Kryeministrit Rama, që akuzohet për trafikimin e lëndëve narkotikëve, në bashkëpunim dhe korrupsion pasiv, janë minuar.

Si fillim, kryeprokurorja Marku lejoi një dëshmitar vendimtar, Nazer Seitin, që të ekstradohet në Itali edhe pse prokuroria shqiptare po e hetonte atë në lidhje me çështjen Tahiri-Habilaj. Vendimi i ekstradimit të Seitit ishte në kundërshtim me nenin e 491 të Kodit të Procedurës Penale.

Më pas, Marku shkarkoi drejtuesin e Prokurorisë për Krimet e Rënda, Besim Hajdarmataj, i cili drejtonte çështjen Tahiri dhe emëroi Donika Prelën në vendin e tij. Si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Markut nuk i lejohet të bëjë ndryshime në lidhje me transferimin ose shkarkimin e prokurorëve. Duke përvetësuar të drejtat e Këshillit të Lartë Prokurorial (KLP), Marku ka shkelur nenin 149 të Kushtetutës. Disa javë pas këtij vendimi, gjykata e Apelit vendosi heqjen e masës së sigurisë “arrest shtëpiak” dhe hetimin në liri të ish-ministrit Tahiri.

Prokurorja Marku kaloi me sukses Vetting-un, pavarësisht nga dyshimet serioze të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), dhe Komisioneri Publik nuk ka bërë ankimin të vendimit të KPK-së. Ajo tani me siguri do të vihet në krye të listës së kandidatëve “shtesë” për KLP-në, përsëri në kundërshtim me ligjin.

Për të pasuruar këtë rezyme mbresëlënëse të veprimtarive të paligjshme, Marku nisi hetim disiplinor për 10 prokurorë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe transferoi (sërish në kundërshtim me Kushtetutën) tre prej tyre në prokuroritë e rretheve. Një nga ata që u transferua ishte dhe Hajdarmataj, drejtuesi i hetimit të Tahirit. Për të justifikuar këto vendime, Marku përmendi disa masa disiplinore, por nuk është e qartë se mbi çfarë baze ligjore ajo i ka marrë këto vendime.

Ajo që është e qartë është se hetimi i çështjës Tahiri është futur në një rrugë pa dalje, falë Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, të zgjedhur në mënyrë të paligjshme, duke përdorur masa të paligjshme, të gjitha këto teksa gjykatat më të larta të vendit nuk ekzistojnë.

Burimi: Exit