Thaçi kërkon të heq qafe Kuvendin e Kosovës për marrëveshjen me Serbinë

Në një dokument që e ka siguruar Gazeta Express, Presidenti Thaçi i ka dërguar një pyetje Gjykatës Kushtetuese, me anë të së cilës i ka kërkuar këtij institucioni që t’ia heqë qafe Kuvendin për marrëveshjet që ai mund t’i arrijë në të ardhmen me faktorët e jashtëm: qoftë me Brukselin, qoftë me Serbinë. Në këtë mënyrë, Presidenti po përpiqet t’i hapë rrugë projektit të tij famëkeq për ndarjen e Kosovës.
Presidenti Hashim Thaçi, duke e parë që nuk po arrin të sigurojë mbështetjen e partive politike për fazën finale të dialogut me Serbinë, po përpiqet të gjejë mënyra tjera për t’u paraqitur si faktor vendimmarrës para Mogherinit e Vuçiqit në negociatat e Brukselit.

Shefi i Shtetit, fazën finale të dialogut po provon ta përmbyllë i vetëm, duke e anashkaluar Kuvendin e Kosovës, dhe vetëm me një firmë të tij ta finalizojë marrëveshjen me Beogradin. Për këtë, ai ka vendosur ta kontaktojë Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, duke e sfiduar që ta interpretojë nenin 18 të Kushtetutës së Kosovës, respektivisht pjesën e cila ka të bëjë me ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Gazeta Express ka siguruar dokumentin-kërkesën që Presidenti Thaçi e ka dërguar në adresë të Gjykatës Kushtetuese në fillim të këtij muaji ku ka pyetur se a konsiderohen të ratifikuara marrëveshjet ndërkombëtare që nënshkruhen nga Presidenti, pa i çuar fare në Kuvend dhe pa miratimin e deputetëve me 2/3 e votave.

Për këtë ai ka gjetur një zhvillim në raportet Kosovë–BE respektivisht vazhdimin e mandatit të misionit të EULEX’it që tradicionalisht realizohet me këmbimin e letrave ndërmjet Presidentit dhe Përfaqësueses së Lartë të BE’së.

“Në rastin konkret, në mënyre që t’i mundësohet Presidentit të ndërmarrë hapat e mëtejmë, kërkohet interpretimi i nenit 18 të Kushtetutës, në atë mënyrë që të qartësohet kjo dispozitë kushtetuese se Letrat e shkëmbimit të vitit 2018 në mes të Presidentit dhe Përfaqësues së lartë të Bashkimit Europian për Punë të Jashtme të Politika të Sigurisë. A ka nevojë të ratifikohen nga Kuvendi I Republikës së Kosovës apo ratifikohen pas nënshkrimit nga Presidenti”, shkruan Presidenti në kërkesë.

Javëve të fundit, kreu i shtetit po angazhohet fort për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë nëpërmjet shkëmbimin e territoreve, pa elaboruar asgjë. Ai madje ka shmangur fjalën shkëmbim, duke thënë se Kosovës do t’i bashkëngjitet Lugina e Preshevës.

E, neni 18 i Kushtetutës së Kosovës adreson pikërisht edhe çështjen e territorit, paqen aleancat, çështjet politike dhe ushtarake, anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Ndërkaq, territori duket se është “fusha” ku Presidenti dëshiron të manovrojë duke siguruar të drejtën që vetëm më nënshkrimin e tij ta fusë në fuqi marrëveshjen Kosovë-Serbi, që ai po synon të arrijë, me anë të këmbimit të territoreve.

Kërkesa e Presidentit të Kosovës për interpretimin e nenit 18 u është dërguar edhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët kanë të drejtë t’i japin komentet e tyre jo më vonë se më 28 shtator. Deputetëve atë ua ka shpërndarë, sipas rregullit, Kryparlamentari Veseli pas një letre që ia ka dërguar Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi.

Gazetaexpress.com