Hapet gara për koncesionin e matjes së distributorëve të karburanteve

Pas vendimit të muajit qershor për privatizimin e shërbimit të kontrollit të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm, qeveria shqiptare ka hapur zyrtarisht garën.

Koncesioni do të jepet për një kohëzgjatje prej 20 vitesh, ku kompania fituese do të kryejë verifikimin periodik çdo gjashtë muaj për të ruajtur saktësinë e matjes së distributorëve të karburanteve.

Delegimi i këtij shërbimi tek një palë private pritet të rrisë cilësinë në shërbimin ndaj bizneseve dhe përdorimin e pajisjeve dhe laboratorëve të teknologjisë së fundit.

Në garë ofertat do të vlerësohen në bazë të një sistemi pikëzimi, ku peshën më të madhe e zënë pajisjet, logjistika, eksperienca dhe sistemi i informacionit me 35 pikë. Plani i zbatimit të projektit do të vlerësohet me 20 pikë, ndërsa me 15 pikë do të vlerësohet plani i burimeve njerëzore dhe trajnimeve.

Sa i takon ofertës ekonomike, tarifa koncesionare dhe oferta për vlerën e investimit fillestar vlerësohen secila me nga 10 pikë.

Prioritet në këtë garë ka kompania “Noa Control”, e cila fitoi bonusin e qeverisë prej 10% të pikëve. Sipas studimit të fizibilitetit të kryer nga kjo kompani, vlera e përllogaritur e kontratës koncesionare pritet të jetë rreth 64.9 milionë lekë.

Afati i fundit për pjesëmarrjen në këtë tender është data 18 Tetor 2018.