Balla: Basha të tregojë cilët janë oligarkët që e paguajnë 2 miliard lekë në vit?

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka kërkuar nga foltorja e Kuvendit që Lulzim Basha të mos flasë më me kërcënime.
Balla i ka kërkuar Lulzim Bashës të dalë të sqarojë publikun lidhur me një fakt domethënës që po qarkullon në media, se si Lulzim Basha merr çdo vit 2 miliard lekë nga oligarkët.
“Dua t’i them Lulzim Bashës nga kjo foltore, mjaft fole me kërcënime idioteske që as nuk i mer njeri parasysh. Shumë mirë që ke vendosur të shkosh të konsultohesh me publikun, por sikurse ti kërkon çdo ditë me sejmenët e tu përgjigje, në media sot ka dalë një fakt shumë domethënës se si ti Lulzim Basha paguhesh vit për vit me 2 miliard lekë nga oligarkë, të cilët i sulmon ditën dhe i takon natën për të paguar kompaninë e kunatit tënd. Jep përgjigje Lulzim”, deklaroi Balla.
Fjala e plote e Taulant Ballës:
Do ta rimerja edhe njëherë sqarimin që bëri Kryetari i Kuvndit për të nxjerrë edhe njëherë në pah sa gënjeshtarë ka sot në krye të një prej institucioneve më të rëndësishme të demokracisë sikurse është opozita. Madje jam drejtuar edhe me disa shkresa që janë në vjim të ultimatumeve pa vlerë të opozitës se gjoja shqyrtimi i dekretit, miratimi i tij bashkë me raportin, qënka një shkelje e madhe. Unë nuk gjej një rast tjetër në praktikën parlamentare, kaq sa vite kemi vepruar, për të cilën do t`i kërkoja medias që t`i kushtonte sadopak vëmendje dhe të marrë të gjithë dokumentacionin që ka të bëjë me seancën e vitit 2016 ku nuk i di arsyet përse është drejtuar nga zoti Meta dekreti i ardhur nga zoti Nishani i cili është shqyrtuar në një seancë që drejtohej nga kolegu im Spaho, i cili në procesverbalin e kuvendit ka kaluar një për një të gjitha ndryshimet e projektligjit. Pra minimalisht do t`i kërkoja zotit Spaho dhe zotit Vasili që kanë firmosur një shkresë dje, të bëhen të dy bashkë e t`i kërkojnë falje publikut për gënjeshtrën e radhës, se të paktën Spaho dhe Vasili gënjejnë më rrallë sesa gënjen Lulzim juristi. E sa për Lulzim juristin përsëri medias do t`i këkoja t`i kushtojnë pak më shumë vëmendje gënjeshtrës që bëri mbi teatrin. Ai tha se ne, mazhoranca, paskëshim kërkuar që ligji për ndërtimin e Teatrit të ri Komëbtar do t`i shkojë Venecias. O Lulzim, o jurist, po ta them edhe njëherë t`i vetëm gënjeshtra di të bësh në jetë, nuk di të bësh asnjë punë tjetër.
Nuk e kemi thënë kurrë, por ka qenë një propozim i cili do të implementohet dhe që ka të bëjë me dërgimin në Komisionin e Venecias edhe pas votimit për mendim të ligjit për avokatinë, sepse qëndrimi i Partisë Socialiste ka qenë i palëkundur që prej ditës së parë. Kush janë ata prokuror apo gjyqtarë që nuk kalojnë vettingun nuk mund të hyjnë menjëherë nga dera tjetër e pallatit të drejtësisë te ajo e avokatëve. Po çlidhje ka kjo me teatrin o Lulzim, o jurist. Hajde kthe përgjigje për gënjeshtrën që thua pa t`u dridhur qerpiku sepse e ke zanat, një zanat i turpshëm i një njeriu që di vetëm të gënjejë. U habit sot edhe nga hoteli i radhës luksoz ku ka zgjedhur të zhvendosë deputetë të opozitës të cilët po pakësohen dita ditës, e tha çështë ky raportim i kryeprokurores së Shqipërisë. Po mirë mo Lulzim ke bërë nga viti 2005 deri në 2011 nja 6 vjet edhe ministër edhe deputet, ke nga 2017 deri në 2018 edhe një vit më shumë, po si nuk e mësove njëherë që të gjitha institucionet që zgjidhen nga Kuvendi raportojnë në Kuvend, qoftë në komisionin përgjegjës qoftë në seancë plenare dhe këtë vit si rrallë herë në historinë e parlamentarizmit shqiptar, të gjitha institucionet kanë qenë të detyruara dhe do të kishte qenë mirë që opozita të merte pjesë, e të gjithë historinë banale të thashethemeve le t`i kërkonte dhe të bënte pyetje edhe kryeprokurores edhe kryeinspektorit të inspektoriatait të deklarimit të pasurive dhe parandalimeve të konflikt interesit, por opozita nuk është.
Zonja dhe zotërinj, kolegë deputetë, ne sigurisht kërkuam një mendim për këtë projektligj edhe pas kthimit të dekretit nga presidenti, dhe unë besoj që prej këtij momenti të gjithë duhet të heshtin, sado që unë deklaroj me përgjegjësi të plotë në emër të Grupit tonë Parlamentar që kemi transpozuar fjalë për fjalë dhe germë për germë të gjithë opinionin e Komisionit Evropian në ndryshimet që sjellim sot në raportin që bashkëshoqëron dekretin. Ne jemi seriozë në marrëdhënien me Komisionin Evropian dhe vlerësojmë maksimalisht të gjithë opinionin e ardhur prej tyre, i cili përmban dy gjëra thelbësore. Së pari, hedh poshtë të gjithë argumentin bosh të servirur nga opozita se gjoja projektligji na paskësh qenë në kundërshtim me marrëveshjen e stabilizim asocimit të firmosur nga Shqipëria këtu e 12 vite më parë. Po çfarë lidhje ka marrëveshja e stabilizim asocimit me një ligj të caktuar që rregullon një marrëdhënie kontraktuale, por e dyta ajo që është më e rëndësishmja në përputhje me ekspertizën dhe opinionin e shprehur nga Komisioni Evropian, e gjithë procedura për realizimin e projektit të zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar, duke përfshirë̈ projektimin, ndërtimin dhe dorëzimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar, do të realizohet nëpërmjet një thirrje të hapur. Për këtë qëllim, sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara në këtë ligj, Bashkia e Tiranës është ngarkuar të njoftoj publikisht të gjithë subjektet private që janë të interesuara që të paraqesin një propozimin për zhvillimin e projektit të zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar.
Komisioni Evropian u shpreh qartë se ligji dhe procedura e parashikuar, nuk shkelin dhe nuk bien ndesh për asnjë moment me angazhimet që Shteti Shqiptar ka marrë në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.
Ja pra ra gjithë ajo baltë që flisnin këtu në emër të BE-së, në emër të Bundestagut, Asamblesë Franceze që kjo minon rrugën evropiane. A ka sot argument tjetër? Nuk ka!
Ata sot nuk duhet të ishin në hotelin e radhës, por duhet të ishin këtu e të kërkonin ndjesë para publikut, para artistëve, para artdashësve. Ne jemi sot për të njoftuar hapjen e një procesi me një afat kohor prej 60 ditësh për të paraqitur propozim konkret në lidhje me realizimin e projektit të zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar. Një afat kohor ky, tepër i mjaftueshëm për paraqitjen e një propozimi dhe projekti konkret dhe serioz.
E gjithë procedura konkurruese organizohet mbi bazën e një gare te drejtë dhe në kushte të barabarta për të gjithë palët pjesëmarrëse në garë. Çdo palë e interesuar që pretendon se i është mohuar e drejta e një klasifikimi të drejtë, gëzon të gjitha garancitë dhe mjetet ligjore që të paraqes ankim në lidhje me mos shpalljen fitues. Nëse Lulzim Basha ka pasur merak që ndonjë kompani pranë tij të hyj të konkurojë le të hyjë të konkurojë. Kuvendi i Shqipërisë përmes ndryshimeve që realizon sot pikërisht hap një garë të barabartë dhe të drejtë.
Pala shtet hyn në këtë procedurë konkurruese në interes të mbrojtjes të pronës publike. Asnjë centimetër tokë publike nuk do të tjetërsohet tek privati dhe do të kemi një Teatër modern dhe bashkëkohor në një vlerë rreth 27 mln euro të cilat janë për publikun shqiptarë.
Dua ti them Lulzim Bashë nga kjo foltore. Mjaft fole me kërcënime idjoteske që as nuk i mer njeri parasysh. Shumë mirë që ke vendosur të shkosh të konsultohesh me publikun, por sikurse ti kërkon çdo ditë me sejmenët e tu përgjigje, në media sot ka dalë një fakt shumë domethënën se si Lulzim Basha paguhet vit për vit me 2 miliard lekë nga oligarkë dhe Lulzim Basha nuk jep Asnjë përgjigje, madje oligarkë të cilët Lulzim Basha i sulmon ditën dhe i takon natën për të paguar kompaninë e kunatiti të vet.