Presidenti i PES, Sergei Stanishev takon Ballën: Opozita të ndalë bojkotin e Parlamentit

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla zhvilloi një takim me Presidentin e Partive Socialiste Europiane (PES), Sergei Stanishev ku fokusi i bisedës ishte mbi procesin përgatitor që Shqipëria po bën përpara fillimit të negociatave me BE-në. Presidenti Stanishev i shprehu zotit Balla angazhim e tij në perspektiven europiane të Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit.

Sergei Stanishev, President i Partive Socialiste Europiane: Kam kënaqësinë të pres sot në selinë e PES (Partia e Socialistëve Europianë), Taulant Ballën, një mik shumë i mirë, lideri i mazhorancës në Kuvendin e Shqipërisë. Kam qenë në Tiranë në muajin maj, në kuadër të Konferencës së PES për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor dhe anëtarësimin e tij në Bashkimin Europian dhe jam i lumtur që tani, pothuajse në fundit të shtatorit, shoh që është bërë një përparim i madh në këtë aspekt.

Është zhvilluar një takim i nivelit të lartë në Sofje, një Samit që tregoi angazhimin e qartë të Bashkimit Europian për perspektivën e integrimit europian të të gjithë rajonit dhe, akoma më e rëndësishme është që në Qershor patëm vendimin e Këshillit të Bashkimit Europian, duke bërë të qartë se verën e vitit tjetër duhet të hapen negociatat. Sigurisht duhet të vazhdohet me reformat shumë serioze që janë ndërmarrë, sepse Qeveria e Edi Ramës, mazhoranca në Parlament, kanë ndërmarrë reforma të rëndësishme, siç është Reforma në Drejtësi dhe kam bindjen se procesi i Vettingut po ecën mirë, në mënyrë transparente dhe po rinovon sistemin, duke kthyer besimin tek sistemi, dhe kjo është shumë e rëndësishme.

Sigurisht, duhen ndërmarrë hapa të mëtejshëm dhe miqtë tanë të Partisë Socialiste shqiptare e dinë që ne jemi në dispozicionin e tyre për të ofruar këshillat tona, ekspertizën tonë, për ta ndihmuar këtë proces.

Dëshiroj ti drejtohem edhe opozitës, Partisë Demokratike në veçanti, në lidhje me bojkotin e tyre. Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është një çështje kombëtare, ky anëtarësim nuk i shërben vetëm Qeverisë së Edi Ramës, por i shërben çdo shqiptari dhe ka gjëra që duhen bërë, me përpjekje të përbashkëta të mazhorancës dhe të opozitës. Ndaj, pres që ata të jenë konstruktiv në këtë aspekt dhe dëshiroj ti kujtoj që Këshilli Europian i kërkoi opozitës të lërë bojkotin dhe të mos rrijë jashtë Parlamentit, sepse gjithsesi ju duhet një parlament konstruktiv, legjitim dhe funksional.

Dëshiroj gjithashtu të vlerësoj rolin konstruktiv të Qeverisë, Partisë Socialiste dhe të Kryeministrit në rajon. Të gjithë e dimë që Ballkani ka një histori të pasur me drama dhe tragjedi, të cilat duhen kapërcyer. Ju keni nevojë për lider që shohin drejt të ardhmes dhe jam shumë krenar që liderët tanë të qeverive socialiste në Shqipëri, Maqedoni, në Greqi po kontribuojnë seriozisht në këtë proces dhe besoj se do të vazhdojnë në këtë drejtim.

Rajoni ynë, Europa Juglindore, i gjithë rajoni i Ballkanit janë të integruar plotësisht në Bashkimin Europian dhe njerëzit jetojnë të lirë dhe me dinjitet, duke pasur perspektiva më të mira, punë më të sigurta, shtete të mirëqenies sociale në vendet e tyre, si dhe bashkëpunojnë dhe kanë shkëmbime tregtare e kulturore me fqinjët e tyre. Ky është modeli europian, i cili funksionon në të gjithë Europën dhe duhet të funksionojë dhe në këtë rajon. Faleminderit dhe ju uroj suksese!

 

Nga ana e tij kreu kuvendor socialist garantoi zotin Stanishev për angazhim konkret të qeverisë shqiptare në këtë fazë të rëndësishme të procesit të anëtarësimit në BE.

Taulant Balla, Kryetari i Grupit Parlamentar të PS: Pata kënaqësinë të zhvilloj një takim me presidentin e Partisë së Socialistëve Europianë (PES), ish-kryeministrin Sergei Stanishev me të cilin diskutuam mbi atë që po bën Shqipëria në këtë moment që është procesi parapërgatitor përpara fillimit të negociatave me Bashkimin Europian.

Në fund të qershorit Këshilli Europian, ku Partia e Socialistëve Europianë përfaqësohet me shtatë kryeministra të vendeve anëtare, vendosi pikërisht përcaktimin e qershorit të ardhshëm si momentin për hapjen e negociatave.

Ky proces paraprihet nga procesi screening i legjislacionit.

Ka filluar puna  e parë shumë e rëndësishme parapërgatitore, e cila konkludon me hapjen e negociatave në qershorin e ardhshëm.

Gjithashtu, dua ta falenderoj z.Stanishev, grupin e socialistëve dhe demokratëve në Parlamentin Europian për votën mbështetëse që i dhanë vendimit për heqjen e vizave për qytetarët  e Kosovës ku të gjithë deputetët socialistë dhe demokratë e mbështetën tërësisht këtë vendim historik për t’i mundësuar edhe qytetarëve të Kosovës lëvizjen e lirë dhe pa viza në hapësirën e Bashkimit Europian.