Kukan: Reforma zgjedhore të përfundojë para zgjedhjeve të ardhshme

Eurodeputeti i Grupimit të Partive Popullore në Parlamentin Evropian, Eduard Kukan, thekson se për reformën elektorale në Shqipëri duhen përfshirë partitë e reja, por edhe opozita, shoqëria civile dhe ekspertët. Në intervistën për gazetën “Shekulli”, Kukan shprehet:

Sezoni parlamentar ka filluar në Shqipëri dhe opozita është në bojkot. A keni ndonjë koment për komunikimin politik mes dy palëve në Shqipëri?

Unë nuk e konsideroj bojkotin, veçanërisht bojkotin e parlamenteve, si mënyra për të zgjidhur dallimet politike. Ato nuk sjellin rezultate pozitive. Siç e kam përsëritur në shumë raste, bojkotet nuk kontribuojnë në krijimin e një mjedisi politik konstruktiv. Në rastin e Shqipërisë, mjedisi i tillë është vendimtar, jo vetëm për proceset e reformave, por edhe për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Le të mos harrojmë se Shqipëria ka nevojë për institucione demokratike funksionale, përfshirë parlamentin. Opozita luan një rol të rëndësishëm në nxitjen e llogaridhënies së partisë në pushtet, nëpërmjet mbikëqyrjes dhe shqyrtimit në parlament. Parlamenti është një gur themeli i demokracisë, ashtu si dhe shumica dhe opozita, ka ndarë përgjegjësinë për funksionimin e saj. Prandaj, unë mund të thërras të gjithë politikanët, por veçanërisht ata që janë në opozitë, për të nderuar institucionet demokratike dhe për të kontribuar në krijimin e një mjedisi më të mirë politik në vend.

Z. Kukan, një nga reformat kryesore në Shqipëri është ajo e drejtësisë. Si e shikoni ritmin e këtij procesi?

Mendoj se procesi i reformës së drejtësisë në Shqipëri, ka qenë relativisht i shpejtë dhe ka pasur përparim në rrethana mjaft të vështira. Duhet të marrim parasysh se është një reformë komplekse. Ajo sjell ndryshime thelbësore në një degë të tërë të pushtetit shtetëror. Nuk ka të bëjë vetëm me numrin e gjyqtarëve apo prokurorëve që largohen nga sistemi, por për cilësinë e njerëzve që do të mbeten në sistem dhe cilësinë e procesit. Procesi, duhet të krijojë gjyqësorin e pavarur dhe të mbështesë demokracinë shqiptare. Në këtë drejtim, duhet të kujtojmë se reforma ka qenë vendimtare për qytetarët shqiptarë dhe për t’u përgatitur për negociatat me Bashkimin Evropian. Unë nuk mendoj se mund të ketë ndonjë reformë të mirë apo të keqe të gjyqësorit. Është e rëndësishme që reforma të zbatohet siç duhet dhe sistemi i ri i drejtësisë të funksionojë sa më shpejt që të jetë e mundur. Unë besoj se kjo është ajo që qytetarët shqiptarë presin.

Një reformë e iniciuar nga Bashkimi Evropian, është edhe reforma zgjedhore, cili është limit kohor për miratimin e saj?

Politikanët shqiptarë duhet të zgjidhin sa më parë çështjet e amendamenteve të Kodit Zgjedhor. Rekomandimet e OSBE/ODHIR janë mjaft të qarta dhe duhet të miratohen para zgjedhjeve të ardhshme. E vlerësoj që parlamenti shqiptar ka vazhduar dialogun në komitetin “ad hoc” për reformën zgjedhore. Është e rëndësishme të forcohet besimi i qytetarëve në proceset zgjedhore. Për më tepër, zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë pjesë kyçe e vlerësimeve të standardeve demokratike në vendet kandidate të Bashkimit Evropian. Mendoj se spektri i gjerë i partive politike, duke përfshirë partitë jo-parlamentare, por edhe opozitën, shoqërinë civile dhe ekspertët, duhet të përfshihen në diskutimin mbi reformën zgjedhore. Ky duhet të jetë proces gjithëpërfshirës, ??pasi aktorët kryesorë të saj janë qytetarët e vendit.

Opozita shqiptare dhe mediat, kanë theksuar rritjen e situatës së krimit në Shqipëri. Si e shihni situatën e krimit në Shqipëri? Para disa javësh familja e gazetares shqiptare u kërcënua me armë zjarri? A rrezikohet siguria në Shqipëri?

Sulmi mbi shtëpinë e prindërve të Klodiana Lalës është një akt i pastër kërcënimi. Incidentet e tilla duhet të dënohen fuqishëm dhe duhet të tregojmë solidaritet me gazetarët. Unë do të pres që të gjithë politikanët shqiptarë do mund të bëhen bashkë dhe së bashku do të dënojnë akte të tilla, veçanërisht rritjen e kërcënimeve dhe agresionit ndaj gazetarëve. Në situatën kur një numër në rritje i gazetarëve shqiptarë kërkojnë azil në Bashkimin Evropian dhe SHBA për shkak të punës së tyre, liria e mediave duhet të merret shumë seriozisht.