Kryemadhi: Rama shefi i kriminelëve në Shqipëri. Shumë shpejt nisin protestat

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi duke folur mbrëmjen e sotme në studion e emisionit “FAKT”, përballë gazetarit Çim Peka ka lëshuar akuza të forta ndaj Edi Ramës.

Sipas saj, Edi Rama është shefi i kriminelëve në Shqipëri.

Kryemadhi është shprehur se është opozita që ka braktisur parlamentin, por parlamenti ka braktisur shqiptarët.

“LSI dhe PD e votuan reformën në Drejtësi. U besuan ndërkombëtarëve dhe e votuan në kuvend. Por Edi Rama e kapi drejtësinë bashkë me kriminelët. Edi Rama është shefi i kriminelëve në Shqipëri. Kjo nuk është një gjë e paditur, ne ia kemi thënë që para 1 muaj. Nuk është opozita që po bojkoton Kuvendin. Kuvendi ka bojkotuar shqiptarët”, tha Kryemadhi.

Aksioni opozitar

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka dhënë detaje në lidhje me aksionet e opozitës. Ajo ka shpjeguar edhe faktin se pse opozita është kaq enigmatike, duke mbajtur të fshehta aksionet e saj. Por këtë gjë, Kryemadhi ia hedh fajin edhe medieve, që sipas saj janë të kapura nga Rama.

“Është enigmatike sepse të gjitha mediat janë të kapura nga qeveria. Sot opozita nuk e bën funksionin e saj në një shtet demokratik. Nëse do të ishim në një shtet demokratik, sot do ishim në parlament. Po të ishim në një shtet demokratike, nuk do ndodhte ai karagjozllëku i djeshëm që ndodhi në Kuvend. Nga ana tjetër kemi një polici e një institucion shtetëror, që dhunon njerëzit e opozitës. Asnjë institucion i qeverisë nuk shkon tek kriminelët, por shkojnë e presin energjinë tek një njeri që edhe ndihmën ekonomike ia kanë hequr. Nuk po fshehim gjë, por do ti nxjerrim të gjitha hap pas hapi. Opozita ka nisur një aksion të saj që do të vazhdojë. Opozita shkon tek njerëzit, si në Shkodër, Elbasan, Durrës e nesër në Vlorë. Ne u themi njerëzve që ne do të jemi me ju”, ka thënë Kryemadhi në emisionin ‘FAKT’ në SYRI.net.

Kryemadhi ka folur edhe për ngjarjen e rëndë, ku u gjet i vdekur shoferi i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

“Për drogën, paratë nuk janë dhënë, por ka pasur edhe njerëz të vrarë për këtë gjë. Këto para nuk janë injektuar në ekonominë e vendit. Këto para nuk janë në Shqipëri? Po ku janë, kush i ka dërguar jashtë këto para. Këtu është çështja që të hetohen edhe ndërkombëtarët që ndihmuan në kanabizimin e Shqipërisë. Kur nuk gjendet vrasësi i ministrit të Brendshëm, atëherë çfarë pritet këtu. Nuk di të ketë vetëvrasje me 6 plumba. Opozita nuk mund të mbajë në shpinë njerëz të vrarë të cilëve nuk u gjendet vrasësi, siç ka ndodhur me shoferin e ministrit të Brendshëm”, u shpreh kryetarja e LSI-së.

Mbledhjet me PD-ne

Për herë të parë, një lider i partive të opozitës ka treguar se çfarë diskutohet në mbledhjet me dyer të mbyllura. Duke folur në studion e SYRI.net, Kryemadhi ka treguar se shumë shpejt do të ketë zhvillime të mëdha nga opozita.

“Opozita do të dalë shumë shpejt në rrugë. Nuk do të ketë më kthim mbrapa. Këto janë diskutuar në mbledhjet me dyer të mbyllura. Janë më shumë se 90 për qind të deputetëve që kërkojnë për të radikalizuar veprimet në terren”, tha Monika Kryemadhi.

Zgjedhjet lokalet

Ndërsa Shqipëria ndodhet më pak se 1 vit para zgjedhjeve lokale, opozita duket se po përgatitet për përballje të fortë. Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka treguar se çfarë ka biseduar me kreun e PD-së, Lulzim Basha pikërisht për zgjedhjet lokale.

“Nuk jemi ulur për të biseduar e për të ndarë qarqet. Kemi biseduar se si të mbledhim më shumë vota. Njerëzit sot besoj se duan më shumë të kenë një njeri të mirë për kandidat, se sa të jetë i partisë”, është shprehur Monika Kryemadhi.

“Ndarja e Kosovës, ide e Ramës e thënë nga Thaçi”

Për Monika Kryemadhin, ideja për ndarjen e Kosovës dhe dhënien e një pjese Serbisë, nuk është ide e Hashim Thaçit. Kryemadhi ka treguar se kjo është një ide e gatuar në Tiranë nga Edi Rama dhe në Beograd nga Aleksandër Vuçiç.

“Është një ide e përgatitur nga Edi Rama, por e thënë nga Hashim Thaçi”, e ka cilësuar Kryemadhi, projektin për ndarjen e Kosovës dhe dhënien e disa zonave Serbisë.

“Komision hetimor për drogën”

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi u shpreh mbrëmjen e sotme pro ngritjes së një komisioni për të hetuar atë që e quan ‘kanabizimin e Shqipërisë’ dhe që sipas saj, nisi pas aksionit të policisë së Lazarat. Sipas Kryemadhit, ka ndërkombëtarë që kanë qenë ‘pjesë e këtij komploti dhe kësaj skeme të kanabizimit të Shqipërisë’.

“Ne kemi pasur dikur një fshat që quhet Lazarat, që cilësohej për çështjen e kanabizimit dhe shihnim që paratë e Lazaratit shtriheshin deri në qytetin e Fierit. Me politikën e ‘Policisë që duam’, e cila u përkrah edhe nga ndërkombëtarët, gjë që ngjalli edhe shumë dyshime dhe do të ishte shumë mirë që në një moment që do të kishim një sistem drejtësie të pavarur, të drejtë, një parlament të pahapur, një klasë politike të përgjegjshme, pavarësisht pozicionimeve dhe ideologjive politike, do ishte shumë e rëndësishme hapja e një Komisioni Hetimor për të investiguar edhe ndërkombëtarët dhe rolin e tyre në këtë gjë. Sepse prishja e Lazaratit e ktheu të gjithë Shqipërinë në një Lazarat të tërë. Por, po ta kapësh në logjikën financiare i bie që shqiptarët duhet të ishin të pasur. Jo vetëm shqiptarët nuk janë të pasur, por shqiptarët u varfëruar shumë më shumë. Domethënë këto paratë ku shkuan? Ose kanë vajtur në xhepat e Edi Ramës dhe 5 trafikantëve të tij, ose kanë vajtur në xhepat e ndërkombëtarëve, sepse Edi Rama thotë unë s’kam”, tha Kryemadhi.

“E kam diskutuar me ndërkombëtarët kur kam qenë në Shtetet e bashkuara të Amerikës, që kjo gjë duhet investiguar sepse jam shumë dakord që në shumë komisione hetimore, çështja e kanabisit nuk është problematike, pra sepse shumë vende e kanë liberalizuar, e kanë licencuar kanabisin si kanabis medicinal, por nga ana tjetër këto para në një farë mënyre nëse do shkoje drejt një legalizimi të kanabisit, ishin paratë që duhet të shkonin në xhepat e fshatarëve, që kanë tokën, që e kanë mbjellë dhe kanë korrur e përpunuar.

Këto para nuk kanë vajtur faktikisht sepse njerëzve jo vetëm që nuk u është dhënë paraja, jo vetëm nuk janë paguar, por njerëzit dhe janë vrarë më pas. Dhe nga ana tjetër, shikojmë që këto para nuk janë injektuar më pas në ekonominë shqiptare, se nuk po them të injektohen koncesionet, që janë prapë 2 njerëz. Por është injektim që ti e vendos tek shishja e ujit, çokollata, libri, tek bluza, tek mënyra si po funksionon.

Në fakt, këto para nëse nuk janë në Shqipëri, ku janë? Nëse Edi Rama i ka çuar këto para jashtë Shqipërisë, nëpërmjet kujt i ka çuar? Transaksionet nëpërmjet kujt janë bërë? Pra, këtu nuk është çështja për të vetuar apo hetuar klasën politike, që mori vendime për ta kanalizuar Shqipërinë, por këtu çështja është për të hetuar dhe investiguar edhe këta ndërkombëtarë që kanë qenë pjesë e këtij komploti dhe kësaj skeme të kanabizimit të Shqipërisë.

Paratë e kanabisit tashmë nuk janë më para kanabisi, por janë kthyer në para kokaine, heroine, armësh dhe para segmentesh të cilat janë shumë të rrezikshme që rrezikojnë jo vetëm sigurimin e Shqipërisë, por janë edhe rrezik për në Bashkimin Evropian”, shtoi kryetarja e LSI-së.