Integrimi, ministri Gjerman: Rezultate për të bindur skeptikët

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, po zhvillon një konferencë për shtyp me Heiko Maas, ministrin e Jashtëm të Gjermanisë. Mass deklaroi se ”kriteret për nisjen e bisedimeve për anëtarësim janë të qarta, duhen rezultate nga reformat për të bindur skeptikët”.

”Në qershor të këtij viti u mor një vendim orientues sa i përket fillimit të mundshëm të bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë duke nisur prej 2019. Është një vendim që tregon vlerësim për reformat që janë marrë vitet e fundit në Shqipëri. Në të njëjtën kohë, shtetet anëtare të BE kanë bërë të qartë se qershori i 2019 nuk do të jetë një automatizëm sa i përket çeljes së bisedimeve të anëtarësimit. Kriteret për këtë janë të ditura dhe të qarta. Duhet të ekzistojë hapa për rezultate të tjera sa i përket reformave në mënyrë të tillë që të mund të bindim edhe të gjithë ata që janë disi skeptikë sa i përket këtij procesi. Bëhet fjalë më së shumti për konsolidimin e shtetit ligjor apo pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Jam tepër optimist që do ecim përpara në këtë rrugë”,-tha Mass.

Ministri ynë i Jashtëm, Ditmir Bushati, u shpreh se “rruga drejt anëtarësimit evropian është një e përpjetë që duhet të shoqërohet me arritje konkrete”.

Ministri i Jashtëm gjerman, mbërriti sot në Tiranë, për një vizitë zyrtare në kuadër të një turi ballkanik, të nisur në fillim të kësaj jave në itinerarin Bukuresht-Shkup-Tiranë-Athinë. Burime zyrtare nga Ministria e Jashtme e Gjermanise pohojnë se në krye të axhendës së vizitave në këto 4 vende është ”një Europë e Bashkuar”.

Ministri Maas citohet nga Ministria e Jashtme Gjermane të ketë deklaruar para fillimit të këtij turi se “Europa nuk mund të ndahet në rajone gjeografike, për ne ka vetëm një Europë”.