Euro “godet” buxhetin

Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se në tre muajt e parë të vitit, ekonomia shqiptare u rrit me 4.45 për qind, çka përbën ritmin më të lartë në një dekadë. Statistikat sektoriale sinjalizojnë se ekonomia ka vijuar të rritet me një ritëm të ngjashëm edhe në tremujorin e dytë, e udhëhequr veçanërisht nga rritja e prodhimit industrial dhe sektori i turizmit.

Teksa aktiviteti ekonomik është zgjeruar me ritme relativisht të shpejta, të ardhurat në buxhet janë rritur më ngadalë. Sipas treguesve zyrtarë, në 7 muajt e parë të vitit, të ardhurat totale në arkën publike u rritën me 7.3 miliardë lekë ose vetëm 2.9 për qind krahasuar me vjet.

Ministria e financave thotë se një nga arsyet kryesore pse të ardhurat nuk janë rritur në linjë me ekonominë është kursi i këmbimit. Sipas Financave, vetëm nga rënia e euros, për 7 muajt e parë të vitit, buxheti I shtetit ka humbur rreth 5 miliardë lekë, pasi mallrat që blihen në tregjet e BE-së zhdoganohen me vlerë më të ulët. Rënia e euros nuk ka vetëm efekte negative për financat e shtetit.