Basha: Do përgjigjesh me kokë zoti Kryeministër! Vasili: Rama, i pa shpresë!

Një aksion i Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit në zonën e Jalës në Vlorë është kthyer në debatin më të nxehtë politik mes Partisë Demokratike dhe Qeverisë. Forca të shumta policie nisën aksionin për shembjen e 9 godinave, shtëpi dhe objekte biznesi në Jalë, të cilat sipas ALUIZNIT nuk plotësonin kushtet për legalizim. Banorët që preken nga ky vendim e cilësojnë aksionin e policisë si pjesë të një skeme korruptive. Sipas tyre, objektet po shemben jo se nuk plotësojnë kushtet e legalizimit, por për t’i hapur rrugën e ndërtimit një biznesmeni me lidhje të forta politike në Tiranë. Protesta e banorëve nuk e ndalën policinë që të vijojë me prishjet e objekteve. Pas përplasjes mes banorëve dhe policisë 14 prej banorëve janë shoqëruar në polici.
Ndërkohë në krah të banorëve dje ishte dhe deputeti demokrat i Vlorës Agron Shehaj. Ligjvënësi i PD-së ka debatuar me drejtorin e IKMT-së, Fatmir Meta. Në videon e shpërndarë në media dhe rrjetet sociale shihen momente kur zyrtari i IKMT, kërcënon dhe fyen deputetin. “Mbaje mend këtë fytyrë. Jam Fatmir Meta nga Vlora!”, dëgjohet në video t’i thotë zyrtari i qeverisë deputetit të PD, Agron Shehaj. ’Deputeti demokrat kërkonte nga drejtori dokumentin zyrtar me të cilin po ndërhyhej në shembjen e godinave. Ndërsa zyrtari i qeverisë deklaronte se deputeti nuk ishte avokat i banorëve dhe po e pengonte të ushtronte detyrën e tij.
Edhe LSI ka reaguar fort me anë të Petrit Vasilit, i cili shkruan se “Edi Rama, i pabesë dhe i pashpresë është lëshuar mbi burrat, gratë dhe fëmijët, që kanë lenë kockat për të mbijetuar.
Vunoi, ky fshat krenar, punëtor dhe dinjitoz, padrejtësisht po vuan skizofreninë e një bastardi pa dinjitet”.
Arrestimet e banorëve dhe incidenti me deputetin e parlamentit është cilësuar nga Partia Demokratike si presion dhe klime terrori që qeveria po ushtron ndaj banorëve në Jalë. Në një deklaratë urgjente nga selia e Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se Edi Rama do të mbante përgjegjësi personale nëse forcat e rendit cenonin përfaqësuesin e opozitës. “Edi Ramës, po i jap këtë paralajmërim: Një fije floku po iu prek çdo deputeti apo përfaqësuesi të opozitës, nga banditi yt Fatmir Meta apo banditët e tjerë, që ke lëshuar si zagarë në të gjithë Shqipërinë, përgjegjësinë do ta mbash ti dhe vetëm ti Edi Rama, në kokën tënde”, deklaroi dje kreu i PD-së.
Ajo që e bënë më të rëndë incidentin e djeshëm, sipas PD, lidhet me emrin e drejtorit të IKMT në Vlorë, Fatmir Meta. Kryeinspektori i Vlorës rezulton një emër i njohur për publikun shqiptar, pasi përmendet në disa nga ngjarjet më të rënda, si banda e Zani Caushit, vrasja e Azem Hajdarit dhe disa nga incidentet që kanë ndodhur në Tropojë gjatë viteve ’90, sipas selisë blu. Lulzim Basha bëri dje një përshkrim të biografisë së tij duke akuzuar Edi Ramën si personin që ka emëruar në detyrë njerëz që kanë të kaluar kriminale. “Për ata që nuk e njohin, sepse janë tepër të rinj ose dhe e kanë harruar historinë e 20 vjetëve më parë, Fatmiri Nasibesë, Fatmir Meta, është ish-shefi i komisariatit të Tropojës në periudhën më të errët. Me makinën e shefit të komisariatit të Tropojës, pra të Fatmir Metës, udhëtoi me 12 Shtator 1998 për në Tiranë, banda që ekzekutoi heroin e demokracisë, Azem Hajdari. Po atë natë, me makinën e shefit të tyre Fatmir Meta, banda e veshur me uniformën e policisë u kthye në Tropojë, e pandaluar nga askush. Gjatë kësaj periudhe në territorin ku drejtonte rendin dhe sigurinë publike së bashku me bandat, u vodh 3 herë Banka e Kursimeve të Tropojës dhe u vranë 86 qytetarë, një prej të cilëve oficer i Policisë së Shtetit, brenda ambienteve të komisariatit”,- denoncoi dje kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Në gjithë zhvillimet e djeshme, mazhoranca që reagon edhe për statuset në Facebook, nuk e pa të udhës të bënte qoftë edhe një sqarim formal për incidentin.

Rikthimi i emrave që përmenden në ngjarje të rënda kriminale, përdorimi ndonjëherë i pajustifikuar i aksioneve të policisë ndaj qytetarëve, si dhe kërcënimi verbal i një deputeti janë shenjat e një klime tensioni që po rritet në vend. Kërcënimi i Lulzim Bashës ndaj Edi Ramës është vetëm shenja e parë se në incidentet e tjera përgjegjësia nuk do të kërkohet te zyrtarët e nivelit të ulët, por direkt të kryeministri.
Tensioni politik po rritet përditë dhe duket se do kemi përplasje të fortë këtë vjeshtë mes opozitës dhe kryeministrit.
A. Marku