“Rrno për me gatue”, Veliaj: Jo patatina por perime

“Rrno për me gatue” është titulli që jo më kot është përzgjedhur për aktivitetin e zhvilluar në Pazarin e ri në Tiranë ku 12 shefa kuzhine të restoranteve më të njohura në Evropë, prezantuan pjatat e tyre përballë amvisave Shqiptare.

Recetave tradicionale shqiptare u janë shtuar modifikime bashkëkohore duke i shtuar më shumë shijen por jo idenë. Kryetari i bashkisë duke përshëndetur nismën, solli në vëmendje dhe ndryshimin e menysë në kopshte që u shoqërua me debate.

”Edhe në institucione tona ushqimi që japim në çerdhe e kopsht po impaktohet nga pasioni ynë ngjitës. Duke i ushqyer vetëm me pije me gaz dhe vetëm me patatina ne po përgatisim gjeneratën e ardhshme të klientëve diabetikë për spitalet tona. Nëse vizioni ynë është një jetë më e shëndetshme duhet të fusim perimet, brokulin dhe ti mësojmë që të vegjel për një jetë më të shëndetshme”,-tha Veliaj.

Për Veliaj dhe shefat, kuzhina nuk është vetëm punë por edhe një mision përmes të cilit gatimi përcillet shija shqiptare në mbarë botën. Një ndër pjatat e gatura ishte dhe fërgesa që shërbehej e ftohtë, me domate të karamelizuara, që shoqerohej me pika salse speci të kuq, pluhur ulliri dhe së fundi të shoqeruar me petë byreku.