Panariti: Miratimi me amendime i ligjit për Teatrin, i paligjshëm dhe i pavlefshëm

Deputeti i LSI, Edmond Panariti në një prononcim për media, tha se miratimi i ligjit për teatrin me amendime është i paligjshëm dhe i pavlefshëm. Panariti shprehet se Presidenti Meta ka përcaktuar qartë shkeljet e rënda të Kushtetutës në dekretin për kthim dhe se miratimi në tërësi i dekretit presidencial ishte e vetmja rrugë për të penguar grabitjen e pronës publike.

Fjala e Panaritit:

E vetmja mundësi e shumicës për të dalë nga gropa e zezë e antikushtetueshmërinë së ligjit për shembjen e Teatrit, ishte miratimi në tërësi i dekretit të Presidentit për kthimin e ligjit. Miratimi me amendime është i paligjshëm dhe i pavlefshëm. Presidenti ka përcaktuar qartë shkeljet e rënda të Kushtetutës në dekretin për kthim. Prandaj, miratimi në tërësi i dekretit presidencial ishte e vetmja rrugë për të penguar grabitjen e pronës publike, shkatërrimin e vlerave të trashëgimisë antikushtetueshmërinë e këtij akti. Në mënyrë të dhunshme, duke u ndërprerë të drejtën e fjalës së opozitës, mazhoranca miratoi në shkelje të procedurave, amendamente të futura tinëzisht në dekretin e Presidentit në shkelje të hapur të rregullores së parlamentit. E gjitha kjo për rrjedhojë degradoi në një farsë.