Lopetegui thumbon Ronaldon dhe vlerëson Romën në debutimin në Champions

Real Madrid do ta nisë aventurën në Ligën e Kampionëve në shtëpi, ku do të presë Romën në një takim mjaft delikat. Në kuadër të kësaj ndeshjeje, trajneri i Realit ka dalë në konferencë për mediat, duke pranuar se Roma është ekip që hap probleme, ndërkohë që ironizon edhe me Ronaldon.

“Real Madridi ka synime maksimale në të gjitha garat. Pastaj, të gjithë e dini se kur bëhet fjalë për Champions ka më shumë entuziazëm. Ne do të përpiqemi ta nisim kompeticionin me këmbën e djathtë.

Na pret një ndeshje e vështirë ndaj Romës duke qenë se italianët janë  një ekip mjaft i mirë dhe këtë e kanë treguar vitet e kaluara. Mendoj se këtë sezon, Roma është më e fortë sesa ekipi që eliminoi Barcelonën vjet.

Largim i Ronaldos? Ne përqendrohemi vetëm tek lojtarët tanë. E duam triumfin dhe jemi gati të luftojmë për gjithçka. Jemi të bindur se do të bëjmë një turne të shkëlqyer, me gjithë dashurinë për lojtarët që kanë qenë këtu. Ne fokusohemi te lojtarët që janë aktualisht pjesë e Real Madridit”, tha mes të tjerash Lopetegui.