Kur shkenca sfidon terrorizmin

Nga Anna Maria Volpe

A mund të bëhet shkenca një element qendror, në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar? Politikat parashikuese, përdorin mjete matematikore dhe analitike, për të identifikuar njerëzit potencialisht të rrezikshëm, dhe për të parashikuar krimet. Më 2011 revista “Time” e quajti atë një nga risitë më të mira të vitit.

Këto parashikime zakonisht merren me të dhënat mbi veprimet e mëparshme kriminale (duke marrë parasysh llojin, vendndodhjen, kohën etj), me metodat statistikore, për të modeluar “vatrat e nxehta” që bëhen fokusi i politikave specifike të parandalimit.

Një shembull është programi PredPol i përdorur nga policia në shumë qytete amerikane, i ndërtuar 8 vjet më parë nga studiuesit e Universitetit të Kalifornisë (UCLA) dhe Universitetit të Santa Klarës. Megjithatë, ekzistojnë sfida domethënëse në matjen e rrezikut, kur bëhet fjalë për parashikimin e sjelljes njerëzore, për shkak të natyrës së saj të paparashikueshme.

Neutraliti i të dhënave të mbledhura, mund të jetë i paragjykuar nga supozimi, se krimi ka gjasa të ndodhë aty ku ka ndodhur tashmë në të kaluarën, dhe se është kryer nga të njëjtët njerëz.

Ekziston ndërkohë rreziku, që algoritmi mund të shënjestrojë padrejtësisht grupime specifike, si pakicat.

Për më tepër, programet parashikuese shfaqin disa “dobësi”, kur bëhet fjalë për luftën kundër terrorizmit , siç është nënvizuar nga Endrju Ferguson, profesor i jurisprudencës në Universitetin e Kolumbias në Uashington:”Krimet ndodhin çdo ditë, disa herë në ditë, dhe me krime  të caktuara që ndodhin në modele të përsëritura në vende të veçanta gjeografike.

Ndërkohë terrorizmi ndodh rrallë, dhe madje edhe më rrallë përsëritet në të njëjtin vend. Çfarëdo leksioni që keni mësuar rreth rrezikut nga krimi i rrugës, nuk do të jetë i zbatueshëm për të parashikuar rrezikun e terrorizmit ndërkombëtar”.

Studiuesit po përpiqen të bëjnë një hap përpara, duke u fokusuar tek qasja ndaj mendjeve kriminale. Ata po analizojnë formimin, radikalizimin dhe shpërbërjen e krimit të organizuar dhe rrjeteve terroriste, duke integruar për herë të parë të dhënat sociale, psikologjike dhe ekonomike.

Përmes Modelit të Bazuar tek Agjenti (ABM), një grupim modelesh kompjuterike, shkencëtarët po zhvillojnë aktualisht një shoqëri virtuale, për të testuar skenarë të ndryshëm.

Qëllimi i tyre, është të tejkalojnë teknikat parashikuese të policimit, duke u ofruar qeverive mundësinë për të vlerësuar, në një periudhë afatgjatë dhe jo afatshkurtër, ndikimin e politikave të mundshme tek fazat e rekrutimit dhe radikalizimit. Studimi është kryer në kuadër të projektit “Proton” të Bashkimit Europian.

Një nga anëtaret e konsorciumit, Maria Laura Fiorina, juriste në Universitetin e Pavias në Itali, shpjegon:”Këto modele do të trajtojnë pyetje të tilla si:nëse hartuesit e politikave rrisin numrin e shkollave në një zonë të caktuar me një potencial të lartë të rekrutimit kriminal, cili do të jetë ndikimi i tyre?”.

“Heterogjeniteti i të dhënave, është një aspekt themelor. Niveli i ulët i arsimimit, dëshmohet të jetë një terren pjellor krimin e organizuar, por i njëjti parim nuk vlen për procesin e rrjetëzimit të terrorizmit. Ky është një shembull i sfidave të përzgjedhjes së elementeve, që do të futen në ABM”.

Fiorina paralajmëron:”Studimi ynë, synon t’i ndihmojë qeveritë të identifikojnë faktorët e rrezikut. Megjithatë, është gjithashtu thelbësore, të përpunohet një vlerësim i saktë i ndikimeve, për të vlerësuar nëse masat parandaluese, mund të shkaktojnë ndonjë stigmatizim social ndaj grupit që tashmë vuan nga diskriminimi”.

“Në këtë kontekst, një studim i realizuar në kuadër të projektit “Proton” mbi komunitetin mysliman në Londër, tregoi se politikat e parandalimit, si metoda e ndalimit dhe investigimit, kishin efekte të dëmshme, duke e përkeqësuar situatën. Kjo qasje, mund t’i bëjë disa njerëz më radikalë në mendimet dhe veprimet e tyre”- shton Fiorina.

Prandaj, është thelbësore t’i kushtohet vëmendje çdo efekti anësor. “Modelimi i bazuar tek agjentët është probabilistik, dhe jo një mjet parashikues. Rrjedhimisht, hartuesit e politikave duhet të marrin parasysh faktin se ABM-të janë mjete neutrale, dhe nuk duhet të konsiderohen si orakuj”- përfundon juristja.

Studiuesit, zbuluan se prirja e përgjithshme është që të përqëndrohemi më shumë në shkatërrimin e rrjeteve kriminale, në vend të parandalimit të formimit të tyre. Në këtë kontekst, Tomas Renard, ekspert ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit dhe kundër radikalizmit, dhe bashkëpunëtor në Institutin Egmont në Bruksel, ka identifikuar disa vendime të gabuara të ndërmarra nga qeveritë europiane.

“Gabimi i parë, ishte t’i përgjigjeshin terrorizmit përmes një sistemi të sigurisë- ka pasur një tendencë për të zmadhuar kërcënime të caktuara, si ai islamik, duke e shqyrtuar çdo problem në këtë prizëm, dhe duke injoruar shkaqet e tjera, madje edhe forma të tjera të dhunës politike.

Një gabim tjetër, ishte shpërfillja e dinamikës “lokale”. Komunitetet i njohin më mirë anëtaret e tyre, dhe duhet të luajnë një rol qendror”. Majkëll Privo, drejtor i Rrjetit Evropian kundër Racizmit, ndan këtë pikëpamje dhe mendon se angazhimi më i madh me grupet shoqërore është vendimtar, dhe qeveritë duhet të investojnë në të.

“Për shembull, policimi në komunitet, është një metodë që kërkon të zhdukë me një imazh të caktuar të policisë”- thotë ai. “Nuk ka të bëjë gjithçka me represionin dhe kontrollin. Por me besimin dhe sigurinë. Zyrtarët, bashkëveprojnë vazhdimisht me komunitetin; ata mund t’i përkasin grupeve minoritare”.

Proporcionaliteti, është një tjetër parim që duhet vlerësuar, kur përpunohet një politikë të re parandalimi. Masa duhet të jetë proporcionale me objektivin. Për shembull, mbledhja masive e të dhënave që pasuan sulmet e Brukselit ishte jo proporcionale, dhe kërcënoi të drejtën e privatësisë. Proporcionaliteti do të ndërtojë besimin, dhe do të përforcojë mesazhin se siguria dhe të drejtat themelore mund të shkojnë dorë për dore”- përfundon ai.

Burimi: “youris.com”

Në shqip nga bota.al