Gjosha: PS pranoi se shkeli Kushtetutën

Deputetja e LSI-së, Klajda Gjosha shprehet se me votimin pro dekretit të Presidentit Ilir Meta që ktheu ligjin për Teatrin Kombëtar, mazhoranca e PS pranoi se dy muaj më parë shkeli Kushtetutën.

Në një reagim në Facebook, Gjosha shprehet se PS duhet të ishte mjaftuar vetëm më votimin e dekretit dhe jo të vijonte me amendimet  e reja të ligjit.

Deklarata e plotë e Klajda Gjoshës:

Sot mazhoranca pranoi me fjalë dhe me votë dekretin e Presidentit për Ligjin e Teatrit, duke pranuar gjithashtu se ligji që kishin votuar vetëm dy muaj më parë ishte anti Kushtetues, në kundërshtim të plotë me Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit për konkurencën dhe garën e lirë si dhe vjedhje e hapur e pronës publike!

Me votë mazhoranca rrëzoi ligjin që e mbrojti me aq zjarr për muaj të tërë. Dhe pikërisht këtu duhej të mbyllej dhe komisioni i Veprimtarisë Prodhuese, pasi pranimi i Dekretit të Presidentit do të thotë që Ligji për Teatrin tashmë ka rënë. Por marrëzia e kësaj mazhorance fatkeqësisht nuk përfundoi këtu. Sërish në shkelje të Kushtetutës u propozuan amendamente të ligjit joekzistent.

Në kushtet normale gjithësecili nga ne do t’i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese, e cila u asgjesua me vetëdije të plotë në mënyrë që pushteti të mbetej i gjithi në duart e disa individëve. Ndaj në këto momente, në mungesë të Gjykatës Kushtetuese nuk mbetet gjë tjetër vetëm t’i drejtohemi verdiktit të qytetarëve të ndershëm të këtij vendi!