“Çohuni ju thashë, karagjoza”, Erjon Braçe fyen kolegët e tij në PS, Kushi e Bushati

Ndodh edhe kjo. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe është përfshirë në një situatë të sikletshme paraditen e sotme rreth orës 10:06 minuta teksa nuk plotësonte dot kuorumin e komisionit të tij, aty ku pritej të raportonte ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri në lidhje me huanë që do të marrë qeveria nga Fondi për Zhvillim Ndërkombëtar për riparimin e autostradës Tiranë-Durrës.

Duke qënë se nuk i plotësohej kuorumi për të nisur mbledhjen, Braçe ka zbritur nga komisioni i tij në katin e katërt tek kati i dytë ku po zhvillonte punimet Komisioni i Politikës së Jashtme.

Ai i është drejtuar deputetëve socialistë Ervin Bushati dhe Evis Kushi që janë njëkohësisht edhe anëtarë tek Komisioni i Jashtëm edhe tek ekonomia me fjalë fyese. Braçe hapi derën edhe pse po zhvillohej mbledhja dhe ju drejtua dy deputetëve:

“Cohu urgjent. Ti dhe ti. Ejani në mbledhje se ju pret ministri lart. Cohuni ju thashë, karagjoza”- u shpreh Braçe.

Dy deputetë e shoqëruan me buzëqeshje këtë sjellje që ju shkaktoi jo pak siklet, por nuk ju bindën urdhërit./report tv