Presidenti Meta pritet në audiencë të posaçme nga Ati i Shenjtë, Papa Francesku

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, u prit gjatë ditës së sotme në një audiencë të posaçme nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku, në Selinë e Shenjtë në Vatikan.
Presidenti Meta shprehu mirënjohjen e thellë për kontributin e jashtëzakonshëm të Selisë së Shenjtë në rimëkëmbjen shpirtërore e sociale të komunitetit katolik dhe popullit shqiptar, veçanërisht pas daljes së vendit nga izolimi i gjatë komunist dhe vendosjes së pluralizmit në Shqipëri.

Në mënyrë të veçantë Presidenti Meta e falënderoi Papa Françeskun, për lartësimin mbarëbotëror të simbolit më domethënës shpirtëror të kombit shqiptar, Nënë Terezës, përmes shenjtërimit të saj.
Duke shprehur mirënjohjen për vëmendjen e veçantë që Papa Françesku ka treguar për popullin shqiptar, Presidenti Meta, e siguroi Atin e Shenjtë për vokacionin e qartë e të pandryshuar evropian të Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe vendosmërinë e tyre për të ecur në rrugën e integrimit evropian.
‘Shenjtërimi i Nënë Terezës, si dhe lumturimi i 38 martirëve të Kishës Katolike shqiptare dhe emërimi i At Ernest Troshanit si Kardinal Nderi në Vatikan, na bëjnë krenarë ne shqiptarët dhe na japin më shumë besim e forcë për ta ruajtur e promovuar me vendosmëri e përkushtim bashkëjetesën e harmoninë shembullore ndërfetare e kanonike’ – nënvizoi Presidenti Meta.

‘Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriot Skënderbeut na rikthen në kujtesën tonë jo vetëm marrëdhënien e ngushtë të Heroit tonë Kombëtar me Selinë e Shenjtë, por edhe rolin e tij të pazëvendësueshëm në mbrojtjen e civilizimit evropian duke përcaktuar qartë identitetin evropian të shqiptarëve,’ vuri në dukje Presidenti Meta gjatë takimit me Atin e Shenjtë.

Të dy bashkëbiseduesit nënvizuan rëndësinë e jashtëzakonshme që merr në ditët e sotme modeli shqiptar i harmonisë ndërmjet bashkësive të ndryshme fetare, si dhe ranë dakord për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë për promovimin e mëtejshëm të kësaj vlere në mbarë botën.
Një mirënjohje të veçantë Presidenti Meta e shprehu edhe për mbështetjen e vyer që Papa Françesku dhe Selia e Shenjtë i kanë dhënë Kosovës dhe, ku padyshim lartësimi në ditën e Shën Terezës së Kishës katolike të Prizrenit në Dioqezë, përbën një akt domethënës jo vetëm për komunitetin katolik të Kosovës, por për mbarë shqiptarët.
Presidenti Meta dhe Ati i Shenjtë diskutuan edhe për zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit dhe rëndësinë e jashtëzakonshme që ka bashkëjetesa ndëretnike dhe fetare në dobi të stabilitetit, sigurisë, paqes dhe mirëqenies të popujve tanë për të mos u rikthyer më kurrë në konfliktet e përgjakshme të viteve 90-të.
Ati i Shenjtë vlerësoi forcën e shqiptarëve dhe përkushtimin e tyre për t’u ringritur shpirtërisht pas periudhës së gjatë të shtypjes dhe ndalimit të besimit, nënvizoi arritjet e deritanishme të Shqipërisë veçanërisht në fushën e lirisë së besimit dhe shprehu mbresat e tij të jashtëzakonshme nga vizita e tij në Shqipëri dhe mikpritja që ju rezervua gjatë kësaj vizite historike.
‘Gjatë kthimit nga Shqipëria një nga gazetarët më pyeti se përse kisha zgjedhur të bëja vizitën e parë në Evropë, në Shqipëri, në një vend jo anëtar të Bashkimit Evropian, unë iu përgjigja se zgjodha Shqipërinë për të dhënë një mesazh,’ – tregoi Ati i Shenjtë gjatë audiencës së posaçme me Presidentin Meta.


Presidenti Meta dhe Ati i Shenjtë diskutuan gjithashtu edhe për çështjen e mprehtë të emigracionit, luftën kundër varfërisë, rëndësinë e ruajtjes së ambientit dhe kujdesin ndaj familjes dhe veçanërisht ndaj gruas dhe fëmijëve, në këndvështrimin e ndërtimit të një shoqërie më njerëzore dhe të një bote në paqe.
Ati i Shenjtë dhe Presidenti Meta diskutuan mbi rëndësinë e madhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për të rinjtë me qëllim ndalimin e fenomenit të largimit nga vendi i tyre dhe mbajtjes larg nga veset, droga dhe fenomenet negative sociale.
‘Evropa po përjeton një dimër demografik,’ – u shpreh Papa Françesku, ndaj, vendi juaj duhet të mos vuajë nga ky fenomen, i cili kërkon një përkujdesje, përkushtim dhe vëmendje më të madhe në edukimin, arsimimin dhe krijimin e mundësive më të mira për ta.
‘Rrallë kam parë’, – tha Papa Françesku gjatë audiencës, ‘aq shumë të rinj gjatë vizitës sime në Tiranë sa në asnjë vend tjetër e duhet bërë gjithcka që ata të qëndrojnë në vendin e tyre.’
Gjatë kësaj audience të posaçme të Atit të Shenjtë, Papa Françesku, Presidenti i Republikës, Ilir Meta shoqërohej nga familja e tij.

VIDEO/Takimi i Presidentit Meta me Atin e Shenjtë 

Presidenti Meta takohet me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin

Në vijim të vizitës së tij në Selinë e Shenjtë, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta u takua sot me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin.

Presidenti Meta shprehu kënaqësinë e veçantë lidhur me vizitën në Vatikan dhe për audiencën e posaçme me Atin e Shenjtë, Papa Françesku, si dhe nënvizoi rëndësinë e madhe që Shqipëria u kushton marrëdhënieve me Selinë e Shenjtë.

Presidenti Meta vlerësoi ndihmesën e jashtëzakonshme që Selia e Shenjtë i ka dhënë Kishës katolike dhe besimtarëve katolikë shqiptarë të cilët, ashtu si besimtarët e tjerë gjetën heroikisht forca për të ruajtur në zemrat e tyre besimin ndonëse për gati gjysmë shekulli kanë qenë të privuar nga liria dhe e drejta për të ushtruar të lirë besimin fetar.

“Ne jemi të privilegjuar,” – nënvizoi Presidenti Meta, “që në themel të historisë së lashtë të marrëdhënieve tona qëndrojnë personalitete që u përkasin jo vetëm dy shteteve, por gjithë njerëzimit. Papa Klementi XI, Gjergj Kastriot Skënderbeu, Shenjtorja Nënë Terezë, Kardinali i Nderit At Ernest Troshani, 38 klerikët katolikë shqiptarë të lumturuar janë pjesë e historisë sonë, por edhe dëshmi e pakundërshtueshme e përkatësisë dhe vokacionit evropian të popullit shqiptar,” – shtoi Presidenti Meta.

Duke u ndalur në trashëgiminë e bashkëjetesës së shkëlqyer fetare në Shqipëri dhe mes shqiptarëve, Presidenti Meta falënderoi Atin e Shenjtë për vlerësimin e veçantë ndaj këtij thesari kombëtar si model dhe shembull i vyer në nivel rajonal e global. “Bota sot ka nevojë për mesazhe të tilla bashkëjetese dhe harmonie.” – theksoi Presidenti Meta.

Të dy bashkëbiseduesit i kushtuan një vëmendje të veçantë zhvillimeve në rajonin e Ballkanit dhe ndanë mendimin se rajoni ka nevojë për më shumë bashkëpunim, mirëkuptim dhe harmoni.

Duke shprehur mbështetjen për vijimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Presidenti Meta nënvizoi se të gjithë mirëpresin një marrëveshje, me zbatimin e të cilës jo vetëm do të normalizohen marrëdhëniet mes dy vendeve, por do të hidhen themelet e një paqeje, stabiliteti dhe sigurie në nivel rajonal duke ndihmuar jo vetëm të ardhmen evropiane të Serbisë e Kosovës, por të të gjithë rajonit.

“Popujt e rajonit tonë kanë vuajtur shumë nga konfliket etnike ndaj duhet të angazhohemi më shumë për forcimin e bashkëpunimit ndëretnik dhe ndërfetar në rajonin tonë,” – nënvizoi Presidenti Meta.