Ministri serb, Ivica Daçiç flet si Milosheviç: Kosovën e njohim kur të fluturojnë derrat!

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç ka përjashtuar çdo mundësi për njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë. Në një takim zhvilluar sot në ambasadën e Greqisë në Beograd, i pyetur nga gazetarët për marrëveshjen mes dy vendeve, Daçiç ka folur me një stil të ngjashëm me retorikën e diktatorit Sllobodan Milosheviç.

Daçiç tha se Serbia do t’a njohë Kosovën kur të fluturojnë derrat. Deklarata e Daçiç është dhe përgjigje ndaj qëndrimeve të Hashim Thaçit që thotë se me marrëveshjen e re do të mundësohet njohja e pavarësisë së Kosovës.

“Shqiptarët po dërgojnë mesazhe shumë të ndryshme dhe që nuk kanë të bëjnë me realitetin. Ata nuk duan të flasin për korrigjim të kufirit, por ata duan Preshevën dhe Bujanocin. Janë shumë të ‘zgjuar’ dhe e dini kur ne do t’i njohim si shtet, kur Kosova do të bashkohen me OKB-në, kur derrat fluturojnë “, u tha Daçiç gazetarëve gjatë vizitës në ambasadën e Greqisë në Beograd.

Në qëndrimin e tij, Ivica Daçiç pranon se korrigjimi i kufijve është një propozim i Serbisë dhe shton se ende nuk ka parë se cili është propozimi i shqiptarëve. “Ne kemi ardhur me disa propozime dhe pasi ata janë kundër korrigjimit të kufijve, cili është propozimi i tyre për ne?”- deklaroi Ivica Daçiç.

Ministri i Jashtëm i Serbisë është një nga politikanët më jetëgjatë në këtë post pas luftës së NATO-s në Kosovë. Si diplomat, Daçiç e njeh rëndësinë e deklaratave dhe provokimeve që bëhen në publik. Retorika e përdorur sot, se Serbia nuk do ta njoh Kosovën është një mesazh që, së pari, nxjerr zbuluar qëndrimin e Hashim Thaçit. Presidenti i Kosovës deklaron shpesh se do të marrë Luginën e Preshevës. Daçiç i thotë qartë se diçka e tillë nuk ka mundësi të ndodhë.

Mesazhi i dytë dhe më i rëndë ka të bëjmë mosndryshimin e qëndrimit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë. Bashkimi Europian ka 10 vite që ka nisur një proces dialogu Prishtinë-Beograd me qëllimin final njohjen e Kosovës nga Serbia. Ndërkohë që gjithë projekti i BE, veç ideve për ndarje territoresh dhe “spastrim etnik paqësor” nuk ka prodhuar asnjë gjë të re në politikën serbe. Përkundrazi, po rikthen edhe një herë retorikën nacionaliste serbe kundër shqiptarëve. Daçiç ka folur sot njëlloj siç fliste dikur Sllobodan Milosheviç kundër shqiptarëve duke mos pranuar që t’u njihej asnjë e drejtë minimale.

Serbët synojnë të ndajnë Kosovën, të mos lejojnë pranimin e saj në NATO duke e treguar si një shtet joserioz, si dhe kanë bllokuar praktikisht njohjet e reja të Kosovës. Loja e Thaçit deri tani po tregon se ose fshihen interesa serbe me dorë kosovare, ose ai ka hallin e tij nga mos ndalimi prej gjykatës speciale.

Ministri serb e tha sot se si do ta njohin shtet të pavarur Kosovën, “kur të flurojne derrat”, tha Daçiç.