Rama:Basha një “artist-mashtrues”/Lulzim Basha: Rama një kryebandit

Pas Vetingut në drejtësi, proces që ende nuk është përmbyllur, politika ka nisur sherrin për vettigun e politikanëve. Opozita ka propozuar ndryshime kushtetuese për të mundësuar verifikimin e pasurisë dhe lidhjeve me krimin të gjithë zyrtarëve të zgjedhur dhe postet e larta. Ideja e opozitës duket se ka gjetur të papërgatitur mazhorancën, e cila në parim ka një sërë ankesash proceduriale për vënien në zbatim të një ligji të tillë. Kreu i PD-së, Lulzim Basha deklaron se një ligj i tillë do të tregojë se cilët janë politikanët që nga ana ligjore dhe ajo morale nuk meritojnë me të janë në krye të institucioneve. Sipas tij, një ligj i tillë do të faktojë abuzime jo vetëm të politikanëve, por edhe të familjarëve të tyre. Në linjën e vettingut në politikë, dje nga Durrësi, Lulzim Basha paralajmëroi edhe publikime dokumentesh për kryeministri Edi Rama, familjarë të tij dhe të afërm të ministrave që janë përfshirë, sipas Bashës, në abuzime flagrante. “PD do të publikojë fakte tronditëse që tregojnë sesi Edi Rama dhe Fatmir Xhafa kanë përdorur pushtetin politik për të ndihmuar bandat e krimit të organizuar për të shtënë në dorë lojërat e fatit dhe për t’i përdorur ato për pastrimin e parave të pista të drogës dhe korrupsionit. Edi Rama nuk e do vettingun politikë, por ai do të bëhet. Vettingu në politikë është një proces paralel me hetimin nga drejtësia. Nuk pengon, përjashton, kufizon as hetimin ndaj tyre, as ndaj familjarëve të tyre”,- deklaroi kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur dje për herë të parë akuzave të PD ndaj tij dhe familjarëve të tij, si dhe idesë së PD për vettingun e politikanëve. Në emisionin “Open” të gazetares Eni Vasili në “Top Channel”, kryeministri Edi Rama e ka cilësuar projektin e PD për vetting si lojë të Lulzim Bashës. Për kreun e qeverisë propozimi i PD-së dhe Lulzim Bashës është një projekt për të turbulluar procesin e reformës në drejtësi. Kreu i qeverisë, me nota sarkastike e cilësoi kreun e PD “si një artist-mashtrues”. Kryeministri Edi Rama deklaroi se personalisht nuk kishte asnjë problem me pasuritë e tij apo familjarëve të tij, por shtoi se ligji që kërkon Partia Demokratike është një projekt alogjik.  “Kjo është një lojë e Lulit si artist për të krijuar një turbullirë, ndërkohë që vettingun që po pastron pallatin e drejtësisë nuk e duan. Historitë e tyre nuk ndodhnin as në kohën e Enver Hoxhës: pse i fole atij në rrugë”, tha Edi Rama.

Kreu i qeverisë tha se vetingun e familjarëve të politikanëve nuk e bën asnjë politikan, duke theksuar se ky proces do të bëhet vetëm nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) dhe Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Me këtë logjikë, kreu i qeverisë shtoi se nuk mund të ketë dy procese kontrolli për politikanët, një nga organet e drejtësisë dhe tjetri nga vetë politika. Ndërsa për propozimin ligjor të PD, Edi Rama tha se PS-ja do t’a dërgojë për shqyrtim në Komisionin e Venecias. “Çështja me kë shoqërohesh, është çështje personale. Pastaj nëse ti influencon te një person i lidhur me krimin atëherë ti duhet të shkosh në burg dhe kjo është çështje e drejtësisë. Ne do të ja çojmë Komisionit të Venecias. Kjo është hedh Luli një gur në lum dhe ne të mbytemi. Jo, ne do e marrim gurin dhe do e çojmë në Komisionin e Venecias. Nëse Venecia do të thotë se kjo është në përputhje me kushtetutën, me të drejtat e njeriut, ne do ta votojmë”, tha kryeministri Edi Rama.

Në intervistën e parë për këtë sezon politik, kryeministri Edi Rama ka ironizuar kundërshtarin politik duke risjellë në vëmendje takimin e 18 majit të vitit 2017. Kreu i qeverisë nuk e përjashtoi mundësinë e një takimi me kreun e PD-së, duke mos kursyer dhe ironinë. “Nuk është momenti ende për takim, se Luli do që unë ti lutem. Kemi kohë për takimin, por do vijë momenti që do më lutet kur ta lenë të gjithë të tjerët dhe do më thotë: Romeo unë jam Xhulia… kjo ishte shaka e imja”,- deklaroi kreu i qeverisë.

Vettingu i politikanëve duket se do të përfundojë me “ti nuk do e unë dua”, duke ia kaluar njeri tjetrit topin.