Presidenti Meta me kryebashkiakun e Napolit

Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi sot një vizitë në Napoli të Italisë, ku u prit nga Kryetari i Bashkisë, Lugi de Magistris.

Gjatë takimit të përzemërt që pati në ambientet e Bashkisë së Napolit, Presidenti Meta theksoi domosdoshmërinë e forcimit të marrëdhënieve mes Napolit dhe Shqipërisë, veçanërisht në fushën ekonomike, turizmit dhe të kulturës.

Presidenti Meta nënvizoi gjithashtu lidhjet e forta të miqësisë në shekuj mes Napolit dhe popullit shqiptar, një miqësi që siç u shpreh, daton që nga koha e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Presidenti Meta e ftoi Kryetarin e Bashkisë së Napolit, Luigi de Magistris të zhvillojë një vizitë në Shqipëri, ftesa e cila u mirëprit.

Në një foto të publikuar në Facebook, Presidenti shkruan: “Kënaqësi të vizitoj Napolin dhe të takoj kryebashkiakun, Luigi Demagistris. Një miqësi në shekuj që nga koha e heroit tonë kombëtar Skënderbeu. Mirëpresim kryetarin De Magistris të vizitojë Shqipërinë“.