Rama: Bisedimet Kosovë-Serbi kanë nevojë për unitet kombëtar

Kryeministri Edi Rama nuk ka pranuar të pozicionohet pro ose kundër idesë së shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, por ndjehej se ishte i kujdesshëm kur tha se duhet unitet kombëtar për këtë çështje te emisioni në Top Channel.
Përballë gazetares Eni Vasili, kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë rreth idesë së hedhur për rishikim të vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
I pyetur nga Eni Vasili se përse ka zgjedhur të heshtë, kur të gjithë kanë folur, Rama u përgjigj: “Është një çështje që i takon shtetit të Kosovës. Na një anë në Kosovë ka një debat mbi një ide, jo një platformë. Nga ana tjetër, si përfaqësues i Shqipërisë ndjej detyrimin që të respektoj vendimin e tyre. Unë kam qenë i qartë, se do të flas për Kosovën, por nuk mund të flas në emër të Kosovës. Është e paudhë për mua që të bëj komentatorin. Na duhet shumë më tepër se sa debati i radhës”.
Rama u shpreh se çështja e kufirit është mjaft delikate, ku luhet fati jo vetëm i Kosovës, por i kombit shqiptar. “Shqipëria ka detyrimin të mbështesë fuqimisht Kosovën dhe në këtë detyrim të ndjekë dhe të presë se çfarë përfaqësuesit e Kosovës mendojnë se për çfarë gjërash janë dakord të bëjmë. Unë nuk mund të bëjë tutorin e Kosovës. Kjo është një çështje ku luhet fati jo i Kosovës, por i kombit shqiptar dhe mund të bëhen gabime shumë të rënda”, u shpreh Rama.
Në intervistën e dhënë për “Top Channel”, kryeministri Edi Rama tha se nuk mund të hynte në një debat publik pa e parë në aspektin strategjik. “Të jesh pro ose kundër korrigjimit të kufijve është shumë pak për të ndërtuar një strategji kombëtare. Kjo imja nuk është as indiferencë as të qenit dakord, apo kundër, por ka të bëjë me vetëdije që çështja është shumë e rëndë, ka një peshë të jashtëzakonshme dhe qasja duhet të jetë e jashtëzakonshme dhe jo banale“,- tha kryeministri Edi Rama.

Thelbi i gjithë asaj që tha kryeministri në lidhje me këtë çështje delikate kishte të bënte se duhet që gjithë aktorët politikë e vendimmarrës në Kosovë duhet të ulen sëbashku për një zgjidhje, sikurse la të kuptohej se duhet ta bëjnë në kordinim me Shqipërinë, pra me aktorët Meta, Rama, Basha dhe Berisha. Kjo është çështje kombëtare-tha Rama. Me këtë i tha të gjitha, duke nënkuptuar se nuk mundet ta marrë përsipër vetëm Thaçi.