Lamtumirë ndryshimit të orës, por pas 2019-ës

Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker ka njoftuar se që prej vitit të ardhshëm, ndryshimi i orës do të jetë një çështje e së kaluarës.

Aktualisht qytetarët në të 28 vendet e BE-së ndryshojnë orën dy herë në vit, një orë përpara ditën e fundit të marsit dhe një orë pas të dielën e fundit të tetorit.

Sipas propozimeve të njoftuara nga Juncker, ndryshimi i fundit i detyrueshëm i orës do të jetë ai i të dielës më 31 mars 2019.

Pas kësaj, individualisht shtetet anëtare do të vendosin për orën që do të mbajnë. Nëse zgjedhin orën verore, ndryshimi i fundit do të jetë ai më 31 mars 2019-të.

Nëse do të dëshirojnë të kenë orën dimërore, do duhet të bëjnë ndryshimin përfundimtar më 27 tetor 2019-të. Por, vendimi duhet të merret deri në prill të 2019-ës.

“Ndryshimi i orës duhet të ndalet”, tha Juncker në deklaratën e tij.

Komisioni Evropian ka thënë se do të inkurajojë konsultimet midis vendeve të rajonit për të siguruar një qasje të koordinuar mes shteteve anëtare.

Ata thonë se në një sondazh të fundit, 84 përqind e 4.6 milionë të anketuarve ishin kundër ndryshimit sezonal të orës dhe pro vendosjes së një ore zyrtare.

Sondazhi ka marrë më shumë përgjigje se çdo konsultim tjetër publik i organizuar nga Komisioni Evropian.