Vendimi, rritje pensionesh për invalidët e të verbrit

Prej datës 1 shtator të këtij viti, do të zbatohet rritja e pensioneve për të gjithë invalidët paraplegjikë, tetraplegjikë si dhe të verbrit. “Gazeta Shqiptare” zbardh ditën e sotme vendimin e Këshillit të Ministrave ku tregohet konkretisht rritja përkatëse e pensioneve për kategoritë e sipërpërmendura.

Respektivisht sipas vendimit, masa e përfitimit për invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë, do të bëhet 10.540 lekë në muaj, nga 10.330 lekë që ishte deri në gusht. Ndërkohë kujdestari i këtyre personave do të marrë një pension prej 11.070 lekësh në muaj, nga 11.500 lekë që ishte më parë. “Masa e përfitimit të aftësisë së kufizuar, të përcaktuar në piken 8, të VKM-së nr. 618, datë 7.9.2006, bëhet 10.540 (dhjetë mijë e pesëqind e dyzet) lekë në muaj për personat e përcaktuar në pikën 1 të vendimit.

Të njëjtën masë përfiton edhe kujdestari i personit me aftësi të kufizuara. Masa e përfitimit të aftësisë së kufizuar, të përcaktuar në pikën 8, të VKM-së nr. 618, datë 7.9.2006, bëhet 10.540 (dhjetë mijë e pesëqind e dyzet) lekë në muaj për personat e përcaktuar në pikën 2, të vendimit dhe 11.070 (njëmbëdhjetë mijë e shtatëdhjetë) lekë në muaj për kujdestarin”,-theksohet në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Ndërkohë masa e përfitimit për shkak të verbërisë, do të bëhet 11.965 lekë në muaj, e po të njëjtën masë do të përfitojë edhe kujdestari i të verbrit, nga 11.500 lekë që ishte më parë. Efektet financiare, për zbatimin e këtij udhëzimi, fillojnë nga 1 shtatori i vitit 2018 dhe përballohen me fondet akorduara për vitin 2018, për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Kriteret e përfitimit
Të gjithë ata persona që bëhen të paaftë për çdo veprimtari ekonomike dhe kanë dëmtime fizike apo gjymtime të forta, duke përfshirë verbimin, iu lind e drejta për pension invaliditeti. Sipas ligjit nr. 7703, “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar; invaliditeti klasifikohet në tri grupe.

Invaliditet i pjesshëm, është grupimi i parë, ku bëjnë pjesë të gjithë ata persona të siguruar që humbin aftësinë për punë në profesion, por janë ende në gjendje të kryejnë punë të tjera sipas përcaktimit të vendimit të KMCAP-it. Më tej grupi i dytë klasifikohet si invaliditet i reduktuar në rastet kur personi i siguruar bëhet i paaftë për çdo punë, ndërsa invaliditeti i plotë është grupimi i fundit i kësaj kategorie pensionesh nga i cili mund të përfitojnë të gjithë ata individë që ndodhen në kushtet e nevojës për kujdestari.

Pension invaliditeti të plotë përfitojnë të gjithë ata persona që kanë plotësuar periudhën minimale të sigurimit, e cila është sa 3/4 e diferencës së moshës së personit të siguruar në kohën që bëhet i paaftë dhe moshës 20 vjeç. Gjithashtu, duhet që individi në 5 vitet e fundit para lindjes së të drejtës të ketë së paku 12 muaj sigurim shoqëror si dhe të ketë humbur plotësisht aftësinë për punë, jo për shkak të aksidentit në punë apo sëmundjes profesionale.

E drejta për të përfituar këtë lloj pensioni fillon pas mbarimit të periudhës 6-mujore të trajtimit me raport mjekësor për paaftësi të përkohshme në punë. Ndërkohë në manualin e ISSH-së bëhet me dije se masa mujore e pensionit të plotë të invaliditetit përbëhet nga pensioni bazë dhe nga një shtesë pensioni që llogaritet si pensioni i pleqërisë. “Shuma bazë e pensionit iu jepet gjithë personave të siguruar.

Ndërsa shtesa që iu jepet personave të punësuar, është 1 % për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme neto, që i siguruari ka arritur nëpërmjet kontributeve gjatë gjithë historisë së tij kontributive”,-thekson ISSH. Gjithashtu, ISSH bën me dije se shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se 75 për qind e pagës minimale neto në shkallë vendi.

Sipas ligjit “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, në rastet kur përfituesi i një pensioni të plotë të invaliditetit bëhet i paaftë dhe ka nevojë për një kujdes të vazhdueshme nga një person tjetër, atij i jepet një pagesë shtesë prej 15 % të bazës së vlerësueshme neto. Ndërsa, një person që merr pension invaliditeti të plotë e ka fëmijë në ngarkim deri në moshën 18 vjeç, ose deri në moshën 25 vjeç kur vazhdon studimet e larta me shkëputje nga puna, do të marrë një të ardhur shtesë familjare për çdo fëmijë në masën 5 % të pensionit bazë, por jo më shumë së 30 % e tij.

Pensioni i reduktuar i invaliditetit
Individët, të cilët kanë humbur plotësisht aftësinë për të punuar, e që nuk kanë plotësuar periudhën minimale të sigurimit mund të përfitojnë pension të reduktuar invaliditeti. E drejta për të përfituar pension të reduktuar invaliditeti fillon pas mbarimit të periudhës
6-mujore të trajtimit me raport mjekësor për paaftësi të përkohshme në punë. Vlerësimi nga KMCAP duhet të bëhet në muajin e pestë ose të gjashtë, para përfundimit të kësaj periudhe. ISSH thekson se masa mujore e pensionit të reduktuar të invaliditetit është e barabartë me masën e pensionit të reduktuar të invaliditetit të llogaritur sipas masës së pensionit të plotë të invaliditeti, shumëzuar me raportin e viteve të periudhave të sigurimit, që janë periudhat e sigurimit që i duhen për pension të reduktuar të invaliditetit. Gjithashtu, në rastet që ka nevojë për kujdestari si dhe në rastet kur ka fëmijë në ngarkim, pagesat llogariten po njësoj si në pensionin e plotë të invaliditetit, me kushtet specifike përkatëse.

Pensioni i pjesshëm i invaliditetit

Ashtu si në rastet e sipërpërmendura, personat që bëhen të paaftë për të punuar përfitojnë në bazë të ligjit, pension të pjesshëm invaliditeti. Kushtet për ta përfituar këtë pension janë po njësoj me kriteret e renditura për 2 pensionet e tjera të invaliditetit. Ndërkohë masa mujore e pensionit të pjesshëm të invaliditetit përbëhet nga pensioni bazë dhe nga një shtesë pensioni që llogaritet si pensioni i pleqërisë. Në manualin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore theksohet se Pensioni i invaliditetit të pjesshëm është sa 50 për qind e pensionit të plotë të invaliditetit e llogaritet në të njëjtën mënyrë si pensioni i plotë i invaliditetit.

Rritja sipas kategorive

Masa e përfitimit për invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë, do të bëhet 10.540 lekë në muaj, nga 10.330 lekë që ishte deri në gusht. 
Kujdestari i këtyre personave do të marrë një pension prej 11.070 lekësh në muaj, nga 11.500 lekë që ishte më parë. 
Masa e përfitimit të aftësisë së kufizuar, të përcaktuar në piken 8, të VKM-së nr. 618, datë 7.9.2006, bëhet 10.540 (dhjetë mijë e pesëqind e dyzet) lekë në muaj për personat e përcaktuar në pikën 1 të vendimit. 
Të njëjtën masë përfiton edhe kujdestari i personit me aftësi të kufizuara. 
Masa e përfitimit të aftësisë së kufizuar, të përcaktuar në piken 8, të VKM-së nr. 618, datë 7.9.2006, bëhet 10.540 (dhjetë mijë e pesëqind e dyzet) lekë në muaj për personat e përcaktuar në pikën 2, të vendimit dhe 11.070 (njëmbëdhjetë mijë e shtatëdhjetë) lekë në muaj për kujdestarin
Masa e përfitimit për shkak të verbërisë, do të bëhet 11.965 lekë në muaj, e po të njëjtën masë do të përfitojë edhe kujdestari i të verbrit, nga 11.500 lekë që ishte më parë. 
Efektet financiare, për zbatimin e këtij udhëzimi, fillojnë nga 1 shtatori i vitit 2018 dhe përballohen me fondet akorduara për vitin 2018, për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.