Thirrja e Ruçit për Kosovën: Forcat politike të jenë unike

Delegacioni nga Kosova i kryesuar nga kreu i Kuvendit Kadri Veseli është pritur edhe nga kryeparlamentari Gramoz Ruçi.

Pas takimit, Ruçi e Veseli kanë folur për mediat. Kreu i parlamentit të Shqipërisë tha se institucionet shqiptare po e ndjekin me vëmendje situatën në Kosovë dhe këshilloi unitet të politikës kosovare.

Po ndjekim zhvillimet e fundit. Dialogu është mekanizmi më i efektshëm për një zgjidhje të qëndrueshme që do të garantojë zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe mbi të gjitha njohjen e ndërsjelltë mes Kosovës dhe Serbisë përmes një dokumenti ligjërisht të detyrueshëm siç përcaktohet në strategjinë e BE. Ne inkurajojmë aktorët e përfshirë që kjo zgjidhje të jetë e drejtë, e pranueshme, afatgjatë dhe në interes të Kosovës dhe gjithë rajonit”, shprehet Ruçi.

“Edhe diskutimet në këtë fazë finale duhet të rikonfirmojnë arritjen e një marrëveshje ligjërisht të detyrueshem që respekton tërësinë tterritoriale, karakterin multietnik dhe fetar, siç parashikohet në kushtetutën e Kosovës. Kjo është rruga e vetme për vendosjen e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Mesazhi im është që në këtë situatë aktorët dhe faktorët politike, të gjitha forcat politike të jenë unike, ka shumë çështje që i ndajnë, por këtu bëhet fjalë për sovranitetin dhe paqen jo vetëm ne Kosovë por gjithë rajonin”. ka thënë më tej kreu i Kuvendit.

Kreu i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli theksoi edhe njëherë se Kosova ka shtetin e vet sovran dhe platforma kombëtare do të ndërtohet në kuvend.

“Jam në një vizitë zyrtare në shtetin shqiptar. Qëllimi i vizitës është shumë i qartë është përcaktimi ynë për fqinjësi të mirë me shtetin serb, për dialog e bashkëpunim. Kosova ka shtetin e vet sovran, ka Kushtetutën. Asnjë deklaratë nuk e dëmton më shumë Kosovën se mungesa e unitetit. Kuvendi do të jetë vendi ku do ndërtohet platforma jonë nacionale”, tha Veseli.