Të shtunën aksion pastrimi, Veliaj: Ta bëjmë Tiranën xixë për vitin e ri shkollor

Bashkia e Tiranës, në kuadër edhe  të Ditë Botërore të Pastrimit, do të organizojë ditën e shtunë, më 15 shtator, një aksion të gjerë në gjithë territorin e saj për heqjen e mbetjeve dhe papastërtive. Pjesë e aksionit do  të bëhen të gjitha ndërmarrjet e Bashkisë Tiranë, administratorët si  dhe një sërë organizatash të shoqërisë civile që veprojnë në fushën e  mjedisit.

Për  ta masivizuar këtë aksion kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i  ka bërë thirrje edhe qytetarëve që ti bashkohen këtij aksioni në mënyrë  që viti i ri shkollor ta gjejë Tiranën më të pastër. “Nëse jeton në  Tiranë, mos mungo në aksionin e madh të pastrimit të qytetit në 15  Shtator – të na gjejë viti shkollor xixë në çdo lagje e çdo rrugë!”, shkruan kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

 Në  Ditën Botërore të Pastrimit, njerëzit në 150 vende të botës do  bashkohen ndaj problemit global të plehrave, duke shndërruar këtë ditë,  në aksionin më të madh qytetar të pastrimit në të gjithë globin. Edhe  Bashkia  Tiranë i bashkohet këtij organizimi me qëllim bërjen bashkë të  komunitetit, ndërgjegjësimin e tij për objektivin përfundimtar – Një  Planet të Pastër dhe të Shëndetshëm! Përveç pastrimit, aksioni ka për  qëllim sensibilizimin dhe edukimin e popullatës së gjerë  dhe rritjes së vetëdijes për të mbajtur pastër ambientin e përbashkët.