Shënoi ndaj Italisë, talenti i Shpresave: Emocion i papërshkrueshëm!

Kombëtarja Shpresa u mund dje në mbrëmje 3-1 në miqësoren e zhvilluar ndaj Italisë, por lajmi më i mirë për kuqezinjtë ishte padyshim goli i Giacomo Vrionit. Sulmuesi në pronësi të Sampdorias, i dhënë huazim te Venecia, festoi me një gol të shkëlqyer ndeshjen e tij të parë me fanellën kuqezi, pasi kishte vendosur të braktistë atë të Italisë që kishte veshur në tre vitet e fundit.

Pas golit të shënuar, ai festoi me “shqiponjë” ndaj shokëve të tij që luajnë me Italinë, por që tani i kishte rivalë dhe bëri maksimumin t’u bënte të qartë se tani mendonte vetëm për ngjyrat kuqezi.

Vetë sulmuesi, nëpërmjet rrjeteve sociale, ka dërguar një mesazh për të gjithë tifozët që e ndoqën në këtë sfidë, edhe pse në gjuhën italiane.

“Një emocion i papërshkrueshëm, në një ndeshje sigurisht ‘të veçantë’ për mua. Shumë i lumtur për golin, mëkat për rezultatin përfundimtar por kemi luftuar deri në fund kundër një skuadre të madhe”, ka shkruar talenti i ri i përfaqësues U21 i cili pritet që shumë shpejt të marrë ftesë edhe nga ekipi A.