Sëmundjet e diplomatëve amerikanë? Misteri në Kinë e Kubë

Rusia është i dyshuari kryesor në hetimet e agjencive amerikane në lidhje me sëmundjet misterioze që kanë goditur personelin amerikan në Kubë dhe Kinë, njoftoi televizioni amerikan NBC News.

Dëshmitë kanë treguar përfshirjen e Moskës gjatë hetimeve që përfshinë FBI-në, CIA-n dhe agjencitë e tjera, njoftoi NBC, duke cituar tre zyrtarë të paidentifikuar të SHBA dhe dy persona të tjerë të informuar mbi hetimin.

Dëshmia, sidoqoftë nuk është mjaft e zyrtarizuar në mënyrë që Shtetet e Bashkuara t’ia vendosin fajin publikisht Moskës.

FBI tha se nuk kishte një koment për raportin e NBC. Një burim i qeverisë amerikane, i njohur me vlerësimet zyrtare, tha se agjencitë e inteligjencës nuk do e konfirmonin raportin.

Zyrtarët e SHBA-ve thanë në korrik se ende po hetojnë problemet shëndetësore në Ambasadën e SHBA në Kubë dhe nuk e dinë se kush ose çfarë qëndron pas sëmundjeve misterioze, të cilat filluan në 2016 dhe kanë prekur 26 amerikanë. Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Heather Nauert i tha Reuters të martën, “Ne nuk kemi vendosur asnjëherë se kush ose çfarë është përgjegjës për sulmet shëndetësore”.

Simptomat kanë përfshirë humbjen e dëgjimit, tringëllimë në veshë, marrje mendsh, dhimbje koke dhe lodhje, një model që përputhet me “dëmtimin e butë traumatik të trurit”, thonë zyrtarët e Departamentit të Shtetit. Departamenti i Shtetit njoftoi në qershor se kishte kthyer një grup diplomatësh amerikanë nga Guangzhou, Kinë, për shkak të shqetësimit që ata vuanin nga një sëmundje misterioze që i përngjante dëmtimit të trurit. Zyrtarët kubanë, të cilët po kryejnë hetimet e tyre, kanë mohuar përfshirjen.

Shtetet e Bashkuara besojnë se armë të sofistikuara elektromagnetike mund të jenë përdorur ndaj punëtorëve të qeverisë amerikane në këto vende.