Roshniku, vendi ekzotik i nahijes së Tomorit

Disa kilometra nga Berati, nën këmbët e malit Tomor, shtrihen disa fshatra, si: Roshniku, Kostreni, Bogdani, Vojniku, Drenova, Karkanjozi, Mimiasi etj. Epiqendra e tyre duket se është kthyer fshati Roshnik, si Njësi Administrative e Bashkisë së Beratit, por edhe për faktin se aty cdo vit tashmë në muajin shtator është kthyer në traditë organizimi nga Bashkia e Beratit e “Festës së Roshnikut”, në të cilën fermerët e zonës ekspozojnë prodhimet e tyre në panairin e produkteve bujqësoro – blegtorale.

Për nga begatia, historia, kultura dhe trashëgimia duket se këto fshatra janë të bekuara nga Baba Tomori. Ato dallohen për shumëllojshmërinë dhe origjinalitetin e prodhimeve të ndryshme bujqësore dhe blegtorale, të cilat çmohen dhe vlerësohen kudo nën markën “Made in Tomori”.

Natyra e bukur, toka pjellore dhe klima e përshtatshme fovorizojnë rritjen e disa prej kulturave bujqësore, sidomos në frutikulturë, si: rrushin, fiqtë, arrat, bajamet, kumbullat, mollët etj., të cilat përpunohen nga zanatçinjtë e kësaj zone duke krijuar disa nga nënproduktet e tyre, siç është vera, rakia, kompostot, reçeli etj. Ndërsa nga produktet blegtorale vlerësohen mjaft mishi, gjalpi, djathi etj, të cilat njihen tashmë për cilësinë e tyre të veçantë. Produktet e tyre bio dhe me shije krejtësisht natyrale janë mjaft të kërkuara jo vetëm në tregun e brendshëm, por edhe për eksport. Njerëzit punëtorë dhe meraklinj të kësaj zone e shohin zhvillimin e agrobiznesit si një nga mundësitë më të mira për rritjen e të ardhurave të tyre ekonomike.

Bashkia e Beratit ka nxitur dhe ka gjetur mënyra të ndryshme jo vetëm për të promovuar produktet e kësaj zone, por edhe të bukurive natyrore që ajo të ofron, duke reklamuar përmes spoteve të ndryshme publicitare në medie mundësitë turistike të disa prej pikave të saj. Bukuri natyrore të tilla, si: “Ujëvara e Beckës”, “Çezma e Tarikos”, “Livadhet e Shën Pjetrit” etj. prej vitesh janë bërë objekt i vizitorëve vendës dhe të huaj jo vetëm në festa të tilla, por thuajse gjatë gjithë vitit.

Mikpritja e banorëve të zonës, me traditat, zakonet, respektin që ata kanë për mysafirët, e kanë shndërruar Roshikun në një vend thuajse ekzotik, të lakmueshëm për çdo njeri. Këngët, vallet, dollitë, gëzimi, hareja janë ritualet e kësaj feste, e cila mbledh çdo shtator adhuruesit e traditës dhe të natyrës.

Edhe këtë vit Bashkia e Beratit ka përgatitur një plan të detajuar masash duke e promovuar “Festën e Roshnikut” si një event ku njerëzit takohen, bisedojnë, shkëmbejnë përvojë midis tyre, ekspozojnë produkte të ndryshme, lidhin kontrata për shitjen e këtyre produkteve, promovojnë vlerat dhe bukuritë e kësaj zone, e cila i ka dyert e hapura të mirëpresë bujarisht në çdo stinë të vitit vizitorët vendës dhe të huaj.