RENEA dhe FNSH operacion kundër “Grupit të Niklës”, bastisen vilat e të “fortëve”, 8 të shoqëruar

Forcat RENEA, FNSH dhe policia po zhvillojnë një operacion në fshatin Nikël të Krujës. Operacioni ka nisur në orën 5 të mëngjesit të sotëm, një zonë kjo e njohur me problematika të mëdha kriminale.

Policia po kryen kontrolle në banesat e disa personave të cilët janë të njohur si grupi i Niklës. Në krye të operacionit mësohet se është drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu

Po ashtu në operacion janë përfshirë edhe snajpera për të parandaluar ndonjë reagim nga personat e kërkuar nga policia.

Vetë strukturat e policisë së shtetit do të dalin në një deklaratë në orët në vijim për të bërë të ditur se çfarë kanë arritur të gjejnë në banesat e të ashtuquajturve “të fortët” e Niklës.

Nikla njihet për disa ngjarje të bujshme, mes të cilave edhe rrëmbimi i Enver Stafukës, i akuzuar për vrasjen e komisar Dritan Lamajt.

Nga operacioni 6 persona u shoqëruan, ndërsa 2 të tjerë u arrestuan, Durim Bami dhe Marenglen Haka, nipi i Flamur Hakës. Të shoqëruar janë Flamur Haka, i njohur me nofkën Tuku, Bedri Haka, Valter Bami dhe Ylli Cangu (kunati i vëllezërve të Durim e Valter Bamit).  Ylli Cangu është djali i Naim Cangut që mbeti i vrarë në atentatin e Azem Hajdarit. Naim Cangu ishte me Fatmir Haklajn dhe Jaho Mulosmanin..

Flamur Haka, i cili njihet në zonë me emrin Tuku, mendohet se është ‘koka’ e grupit kriminal të Niklës, që vepron në këtë zonë që prej 1998-ës.

Flamur Haka nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi në vitin 2008 ai u dënua me 86 vjet burg për 7 grabitje me dhunë, atentat si dhe rrëmbim personi.

Për këto vepra ai u dënua me 16 vjet burg. Sakaq, vazhdon bastisja e shtëpive të fisit Haka dhe familjeve të tjera, anëtarë të cilave dyshohet se janë pjesë e grupit të Niklës. Në aksionin e policisë janë përfshirë edhe snajpera, për të parandaluar kështu precipitimin e situatës.

Disa ditë më parë, forcat e policisë ishin në një aksion në Shkodër ku u ndaluan disa persona dhe më pas nga gjykata u lanë me 30 ditë arrest me burg dhe arrest shtëpie.